Taulant Balla ka shfaqur në “Absolut 4” në A2 dhe ambiciet që Partia Socialiste ka në qarkun e Elbasanit për zgjedhjet e 25 prillit, ku ai është dhe drejtues politik.
Duke qenë se në këtë qark pritet të ketë një garë të ashpër ku mund të përmendim Gazment Bardhin, Monika Kryemadhin, Rudina Hajdarin apo dhe Myslim Murrizin, numri dy i socialistëve u shpreh se Partia Socialiste synon deri në 9 mandate në Elbasan.
“Unë mendoj që Partia Socialiste e Shqipërisë do të marrë 8 mandate në qarkun e Elbasanit dhe në rast se opozita do të shkojë kështu mund të marrim dhe 9 mandate. Por gjithçka lidhet me seriozitetin e ekipeve që prezantohen. Mendoj që ekipi i PS është një ndërthurje mes eksperiencës dhe prurjeve të reja. Besoj se procesin që e nisëm dhe jemi duke konkluduar duke ngritur një dritare për të thithur figura të reja përmes portalit “Deputeti që Duam”. Është konturuar ekipi në Elbasan, po presim afatet e Kodit. Por është një ekip që respekton komunitetet në 7 bashkitë e qarkut pasi është shumë i madh. Besoj se çdo krahinë e Shqipërisë ka të drejtë për të pasur përfaqësuesin e saj në Kuvend”.
“Vangjush Dako nuk do të jetë kandidat për deputet nga listat e PS”
Taulant Balla deklaroi më tej se ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, nuk do të jetë kandidat për deputet nga PS në zgjedhjet e 25 prillit.
“PS nuk ka mbështetur dhe nuk mbështet askënd që bie në rrjetën e dekriminalizimit. Për sa kohë që në të gjitha rastet që janë ngritur akuza, standardi ynë ka qenë vetëm një, ne e kemi bërë të qartë se ai person duhet të përballet me drejtësinë.
Nëse një person është subjekt i këtij ligji, atëherë ata nuk do të kandidohen. Ligji është i tillë që rrjetën nuk e kalon askush.
Sa i përket çështjes së zotit Vangjush Dako, kryeministri ka qenë shumë i qartë se, në rast se nga institucionet e drejtësisë shqiptare do të ngrihet një akuzë ndaj zotit Dako, padyshim që PS do të vendosë të njëjtin standard. Më lejoni ta them se zoti Dako nuk do të jetë kandidat për deputet në listën e Durrësit nga PS”, tha Balla.