Sport Dopietë e Ibrës, Milani mposht Cagliarin dhe shpallet kampion dimri pas 10...

Dopietë e Ibrës, Milani mposht Cagliarin dhe shpallet kampion dimri pas 10 vitesh

Pavarësisht mungesave të shumta, Milani vijon të fitojë dhe të kryesojë i vetëm kampionatin italian, teksa mbrëmjen e sotme ka triumfuar me rezultatin 0-2 në transfertën sarde ndaj Cagliarit, teksa ndeshja u vendos nga një dopietë e liderit të skuadrës, Zlatan Ibrahimoviç.

I rikthyer titullar në kampionat, 39-vjeçari suedez u bë vendimtar që në minutën e 5-të kur depërtoi në zonë dhe pas një dyluftimi me grekun Lykogiannis, u shpërblye me një penallti nga arbitri Abisso, të cilën e ekzekutoi vetë dhe mposhti portierin Cragno.

Në fillim të pjesës së dytë Ibra shënoi edhe golin e dytë, teksa pas një pasimi te gjatë të Calabrias, iu shkëput mbulimit të mbrojtjes dhe i vetëm përballë Cragno, gjuajti saktë duke dërguar sferën në rrjetë.

Sfida për kuqezinjtë u komplikua në minutën e 75-të, kur Saelemaekers u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la të tijtë me 10 futbollistë.

Vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi fitoren 2-0 të kuqezinjve, që me këtë fitore shkojnë në kuotën e 43 pikëve, 3 më tepër se Interi, kur ka mbetur vetëm një javë nga fundi i fazës së parë, ndaj me suksesin e sotëm, Milani mund të quhet kampioni i dimrit pas 10 vitesh, pavarësisht rezultatit ndaj Atalantës në fundjavë.