Qeveria shqiptare ka çelur këtë të martë garën për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano.
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku njoftoi se 15 kompani ndërkombëtare do të garojnë për këtë projekt, që është finalizim i 420 mijë orëve punë prej ekspertëve vendas dhe të huaj.
Balluku shtoi më tej se ndërtimi i porteve tregtare dhe komerciale në Durrës dhe Vlorë do të pasohet nga projekte të ngjashme edhe në Sarandë dhe Lezhë për t’i dhënë jetë infrastrukturës detare në vend.
“Çelim sot garën për ndërtimin e portit në Porto Romano, që e kemi quajtur porti i shqiptarëve pasi do ti shërbejë edhe Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, i lidhur përmes hekurudhës me dy porte të thata në Strugë dhe Prishtinë. Me ndërtimin e portit të ri tregtar do të bëjmë realitet premtimin për t’i dhënë Durrësit dhe Vlorës dy porte komerciale dhe marinat tregtare. Portet e Sarandës dhe Lezhës do të jenë të radhës. Sot këtu kurorëzohen katër vite punë nga një ekip prej 100 ekspertësh. Janë mbi 420 mijë orë pune dhe një mal me analiza dhe studime, që po të vendosnim këto letra A4, ti shtrinim në bregdetin shqiptar nuk do të mjaftonin. Tani jemi me 15 kompani ndërkombëtare që do të jenë pjesë e garës.”
Duke hyrë më në detaje, Balluku shpjegoi se porti i ri tregtar në Porto Romano do të jetë më i thellë dhe me sipërfaqe më të madhe të terminalit se ai aktual.
“Duam të ndërtojmë një port dyfish më të thellë se ai që kemi sot në Durrës. Do ndërtojmë një terminal kontejnerësh trefish më të madh, të gjelbër dhe të automatizuar. Duam të zhvillojmë infrastrukturën detare që hedh baza për zhvillim të mëtejshëm. Duam që të ngremë një infrastrukturë për krijimin e një baze autonome detare në kuadër të diskutimit me aleatët tanë në NATO. Durrësit dhe Porto Romano janë anët e së njëjtës medalje. Durrësi me dy porte është një realitet i prekshëm.”
Me autoritet prokurues Autoritetin Portual të Durrësit procedura e tenderimit hapet sot dhe mbyllet më 16 shtator, ndërsa kohëzgjatja e kontratës është përllogaritur në 40 muaj.
Sakaq, ministrja Balluku shtoi se :31 dhjetori i këtij viti do të shënojë përmbushjen e shumë prej ëndrrave historike të shqiptarëve”, pasi pas hapjes së segmentit të parë të “Korridorit Blu”, Thumanë-Kashar dhe tunelit të Llogarasë, do të dorëzohen në fundvit edhe Aeroporti i Vlorës, “Unaza e Madhe” e Tiranës dhe tuneli i Murrizit.