Bota Gati 1 milion viktima nga Covid, Madridi izolohet pjesërisht, Merkel e shqetësuar

Gati 1 milion viktima nga Covid, Madridi izolohet pjesërisht, Merkel e shqetësuar

SHBA, Brazili dhe India përbëjnë gati gjysmën e totalit të vdekjeve. Infektimet vijojnë të rriten rreth Europës, ku Rusia është vendi më i prekur. Melburni në Australi i jep fund shtetrrethimit.

Gati 10 muaj pasi raste të një pneumonie misterioze virale nisën të raportoheshin në Vuhan të Kinës, numri i viktimave të koronavirusit në të gjithë botën, i afrohet 1 milionëshit. Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe India përbëjnë gati gjysmën e totalit të vdekjeve.

SHBA dhe India

OBSH ka paralajmëruar se pa një veprim kolektiv në nivel global, ka shumë gjasë që bilanci të arrijë në 2 milionë të vdekur. Shtetet e Bashkuara regjistruan mbi 32 mijë raste të reja në 24 orët e fundit, për një total prej mbi 7 milionë të prekurish. U shënuan, gjithashtu, 263 humbje jetësh, një rënie e konsiderueshme krahasuar me disa muaj më parë.

India, ndërkaq, tejkaloi 6 milionë rastet, me mbi 82 mijë infektime të raportuara vetëm në një ditë. Infektimet vijojnë të rriten rreth Europës, e cila pas pauzës në stinën e verës po i rikthehet situatës së disa muajve më parë.

Spanja

Spanja po përballet më një shpërthim të ri, dhe numëron në total më shumë se 700 mijë raste. Më shumë se 1/3 e personave të infektuar janë në kryeqytetin Madrid. Autoritetet rajonale atje, kanë vendosur kufizime të reja strikte në më shumë se 8 zona, ku u prekën mbi 1 milion njerëz.

Nga e hëna, qytetarët nuk do të jenë në gjendje të largohen nga zona e tyre, përveçse për punë apo shkollë, parqet publike do të mbyllen dhe dyqanet do të jenë të hapura në orë të caktuara. Ndërsa qytetarët protestojnë kundër kufizimeve dhe kërkojnë një qasje të re ndaj krizës, qeveria spanjolle është e vendosur të mos ndalet me kaq dhe paralajmëron masa të tjera më të rrepta.

Merkel e shqetësuar

Rritje të rasteve ka edhe në Gjermani, ku të hënën u shënuan gati 1200 infektime të reja. Shumë fajësojnë pushuesit e kthyer nga shtetet e goditura më rëndë. “Evolucioni i pandemisë së koronavirusit të ri në Gjermani është gjykuar shumë shqetësuar nga qeveria e Angela Merkel“, deklaroi sot zëdhënësi i saj. “Evolucioni i numrit të infektimeve është shumë shqetësues. Ne mund ta shohim këtë tek disa prej miqve tanë europianë se ku mund të çojë kjo situatë”, paralajmëroi në një konferencë shtypi, Steffen Seibert.

Rusia, vendi më i prekur në Europë

Rusia rezulton si vendi më i prekur në Europë, me mbi 1.1 milionë raste të regjistruara. Të hënën u raportuan 8135 raste, më shumë se sa një ditë më herët. Moska ka regjistruar vetëm 20 mijë vdekje, por kritikët thonë se qeveria po i fsheh shifrat reale.

Melburni i jep fund shtetrrethimit

Shtetrrethimi që ishte në fuqi që prej dy muajsh për të frenuar përhapjen e rasteve me COVID-19 përfundon sot, falë një rënieje të numrit të kontaminimeve të reja. Vetëm pesë raste të reja janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në shtetin e Viktorias, që ka Melburnin si kryeqytet. Bëhet fjalë për numrin më të ulët që prej 12 qershorit.

Pesë milionë banorët e Melburnit i janë nënshtruar këto javët e fundit kufizimeve drastike që kanë filluar të lehtësohen. Sektorët e ndërtimit dhe prodhimit mund të funksionojnë normalisht që nga e hëna. Çerdhet janë rihapur dhe ceremonitë fetare mund të organizohen për një audiencë të vogël.

Pavarësisht përfundimit të shtetrrethimit, banorët e Melburnit mbeten subjekt i masave kufizuese. Atyre u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi dhe mund të udhëtojnë vetëm në një rreze prej pesë kilometrash për një numër aktivitetesh të përcaktuara qartë. Bizneset jo thelbësore janë të mbyllura dhe restorantet mund të shërbejnë vetëm online, gjë që ka shkaktuar zemërim në industrinë e restoranteve.