Genaro Gatusso nuk dorëzohet dhe vazhdon të besojë te Milani i tij. Edhe pse situata është kritike dhe ndaj Spalit mund të jetë ndeshja e tij e fundit në stolin e kuqezinjve, ish-mesfushori ka bindjen se skuadra do ta kalojë këtë moment negativ.
“Mendoj se jemi një familje dhe duhet të qëndrojmë të bashkuar. Jemi shumë të zhgënjyer, kemi sistemuar mbrojtjen, por tani nuk shënojmë më. Duhet të jemi të vetëdijshëm se dhjetori ka qenë një katastrofë. Tani kemi mundësinë ta mbyllim fazën e parë me 31 pikë, që nuk ndodh prej vitesh. Që nga korriku dëgjoj të thuhet se duhet të largohem, por unë mendoj për lojtarët e mi dhe kam mbështetjen e klubit”, tha Gatusso.
Për çështjen e racizmit në Itali pas koreve ndaj mbrojtësit të Napolit Koulibaly nga tifozët e Interit, Gattuso ndan të njëjtin mendim me ish trajnerin e tij Carlo Ancelotti.
“Jam plotësisht dakord me fjalët e Ancelotti-t, është e drejtë të ndalen ndeshjet. Janë 4 idiotë që bëjnë thirrje të turpshme, jo i gjithë stadiumi. Ky është një problem, duhet të kemi respekt. Të bardhë, të zinj jemi të gjithë njësoj.”
Në fund numri 1 i stolit të Milanit komplimentoi portierin Donnarumma të cilin e cilësoi një fenomen.
“Sezoni i tij është pozitiv. Për moshën që ka, është një fenomen. Nëse nuk kemi humbur në minutën 90-të kundër Frosinone-s, merita është e tija”.