Sport Gattuso: Na duhet një shkëndijë kundër Juves, mos më pyesni më për...

Gattuso: Na duhet një shkëndijë kundër Juves, mos më pyesni më për Leonardon!

Me vetëm një pikë në 3 ndeshjet e fundit, Milani është në një moment mjaft të keq dhe është me fat që është ende në vendin e katërt në renditje, por këtë pozicion mund ta humbasë nëse nuk bën kthesë urgjente.

Këtë fundjavë kuqezinjtë vizitojnë Juventusin, sfidë e frikshme, sepse kampionët e Italisë duken të pakalueshëm, edhe kur luajnë me rezerva, si po ndodh kohët e fundit, duke qenë se Allegri po mendon për Champions League.

Gennaro Gattuso ka folur në prag të sfidës në Torino dhe ka prekur tema të ndryshme, nga mungesat e rëndësishme e deri te zërat për largim nga Milani dhe për konflikt me drejtorin sportiv Leonardo.

Vendi i katërt

“Është një arritje e rëndësishme, por duhet të mendojmë vetëm për të tashmen. Nuk jemi në moment të mira, duhet të kuptojmë pse. Do flas për herë të fundit për Leonardon dhe Maldinin: në këtë moment nuk ekziston asgjë, ata flasin me mua si gjithë drejtuesit që flasin me trajnerët e tjerë. Në aspektin profesional jam shumë mirë. Kam vetëm një problem: ka ngecur diçka dhe duhet kuptuar çfarë. Objektivi ynë është ta kthejmë këtë skuadër në Champions, të tjerat janë muhabete kafenesh. Pas paraqitjes së shëmtuar në derbi, ndeshja me Juven vjen në momentin perfekt për të reaguar”.

Juventusi

“Kanë një ekip të madh, janë të mësuar me preisonin dhe nuk ka rëndësi që kanë Champions javën e ardhshme. Jo më kot dominojnë prej vitesh. Skuadra ime është nervoze, duket qartë, mund të jetë diçka pozitive, sepse tregon që lojtarët ndihen keq për rezultatet e fundit. Na duhet një paraqitje e madhe, për të marrë fitoren dhe për t’u ringritur. Ka edhe 8 ndeshje deri në fund, Juve kundër Atleticos ishte shembulli për t’u ndjekur, sepse dukej i vdekur dhe në një ndeshje ndryshoi sezonin. Ashtu duhet të bëjmë edhe ne, kemi një rast ideal për kthesë, kundër një ekipi që e ka fituar tashmë titullin”.

A mund të fitohet në Torino?

“Sigurisht, por rëndësi ka të ruajmë qetësinë, na duhet një shkëndijë për të nisur kthesën. Shumë lojtarë para një muaji bënin gjëra të pabesueshme, ndërsa sot bëjmë gabime. Është e pranueshme, në futboll është normale të mos jesh konstant. Kam lexuar që Leonardo më ka ndaluar që të luaj me dy sulmues dhe me një trekuartist pas tyre, këto janë muhabete kafenesh. Bëj zgjedhjet që më duken më të mirat, pastaj ia them Leonardos mëngjesin e ndeshjes. Kjo është e vërteta”.

Momenti i Milanit

“Jam i zhgënjyer, isha mësuar keq kohët e fundit. Tani jemi të gjithë shumë të zhgënjyer, por duam të rinisemi dhe personalisht jam shumë i zemëruar. Jo nervoz, i zemëruar, sepse në momentin më të mirë ngeci diçka, por kam detyrën të besoj dhe të shfaqem pozitiv”.

E ardhmja

“Kam edhe dy vite kontratë me Milanin, nuk e mendoj fare të ardhmen. Mendoj për ndeshjen e radhës, jam te Milani dhe dua ta çoj në Champions”.

Kean dhe fjalët e Bonuccit

“Për fat të keq, në Itali nuk flet dot më për asgjë. Duhet kuptuar se Bonucci foli ashtu, sepse Kean është i ri dhe ka nevojë për këshilla. Bonuçin e masakruan, por i kam lexuar mirë fjalët e tij. Donte ta ndihmonte djaloshin, që është shumë i talentuar, por duhet të qëndrojë i qetë dhe të mos fluturojë”.