Një krizë e thellë ka pushtuar “shtëpinë e Milanit” dhe trajneri i kuqezinjve Gennaro Gattuso është i vetëdijshëm për këtë gjendje dhe e ka shprehur pas humbjes ndaj Fiorentinës në shifrat 1-0.
“Është një moment i ndërlikuar. Po pavarësisht rezultatit nuk mund të fajësoj për asgjë ekipin. Patëm pak “shkëlqim”, por jemi në gjendje emergjence. Tani thjesht duhet të gjejmë zgjidhje dhe të qëndrojmë të kthjellët, nuk duhet të ecim përpara duke menduar çfarë të fajësojmë e çfarë jo. Duhet të dalim nga ky moment negativ”.
Ka shumë probleme, një ndër të cilët mosrealizimi i golave.
“Ne duhet të luajmë më mirë në zonë. Krijojmë në mesfushë. Mendoj se mund të zhvillojmë një mënyrë më të mirë loje. Kemi bërë disa gabime në fushë të hapur, të cilave duhet t’iu kushtojmë vëmendje.”
“Montolivo nuk luajti? Ai s’ka minuta dhe unë i zgjedh lojtarët duke u bazuar në diçka. Duhet të më pëlqejë një lojtar që ta fus në fushë dhe tani mendoj se ka lojtarë të tjerë që duhet të futen në fushë para atij. Por nëse i bazojmë komentet e ndeshjes te fakti që Riccardo nuk luajti, atëherë nuk jemi në rrugën e duhur.”
Ka vend për diskutim në dritaren e transferimeve dhe thashethemet se Higuain do të largohet nga Milani për të shkuar drejt Chelsea-t.
“E dhashë përgjigjen dje. Gonzalo është lojtar i Milanit, i cili nuk po kalon një kohë të mirë, ashtu si e gjithë skuadra. Për sa kohë që ai është me ne, ai është një lojtar i rëndësishëm dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë për të marrë maksimumin nga ai. A është ai i lumtur? Një sulmues i cili nuk shënon kurrë nuk është i lumtur, kjo është normale. Por në përgjithësi unë nuk mendoj se e gjithë skuadra është e lumtur, pasi nuk kemi qenë në gjendje jepnim maksimumin. Por unë nuk dua asnjë justifikim, ne do të shkojmë përpara, pasi sezoni është i gjatë”.