Sport Gattuso qëndron mes polemikash te Milani, të paktën për momentin

Gattuso qëndron mes polemikash te Milani, të paktën për momentin

Humbja në Torino ka pasur një ndikim të madh negativ në klasifikimin e Milanit, i cili me barazimin apo fitoren e Atalantës mund të përfundojë në vend të shtatë të Serie A.

Një pozicion i vështirë ky, që komplikon situatën dhe objektivin e tyre për të mbyllur sezonin në zonën e renditjes që të kualifikon në Champions League.

Ajo ndaj Torinos ishte një paraqitje jo e mirë për kuqezinjtë, të cilët pak ditë më parë u eliminuan edhe nga gjysmëfinalja e Kupës së Italisë, rezultate që vënë në dyshim vazhdimësinë e trajnerit Gennaro Gattuso. Por edhe pse i konfirmuar në fund, për mungesë alternativash, Gattuso ka qenë në qendër  të stuhisë.

Debati

Pas humbjes me Torinon, Leonardo, Gazidis dhe Maldini, treshja operative e klubit, kanë kritikuar trajnerin kuqezi, teksa ai që ka bërtitur më fort ishte drejtori sportiv, Leonardo.

Sipas asaj që shkruan “Sky”, në një orë e gjysmë të mbyllur në dhomat e zhveshjes, drejtuesit dhe trajnerit kanë ballafaquar idetë e tyre. Ai që ka folur më shumë ishte braziliani Leonardo, i cili nuk është përmbajtur, por ka shprehur gjithë pakënaqësinë.

Moduli i lojës, ndryshimet e shpeshta, forma e dobët e futbollistëve dhe sidomos aspekti fizik. Këto kanë qenë temat kryesore, ndërsa edhe zëvendësimet e bëra nuk kanë pëlqyer aspak. Fakti që njëherë në mbrojtje luan Caldara (ndaj Lazios) dhe tri ditë më pas Musacchio duket i pakuptueshëm, ashtu si ulja në stol e Piatek apo zëvendësimi i Paquetas pjesën e dytë.

Pas mbledhjes me tone të larta, palët kanë lënë dhomat e zhveshjes. Gattuso ka dalë i pari duke iu drejtuar autobusit me ekipin, ndërsa më pas kanë dalë Leonardo, Gazidis dhe Maldini.

Sipas “Repubblica”, ndërkohë, merkato që parashikohet gjatë verës do të jetë Under 23, pra vetëm futbollistë të rinj dhe premtues. Asnjë i vjetër, asnjë me rrogë të lartë dhe asnjë për të cilin ka ankand.

Ndërkohë, presidenti i Milanit Paolo Scaroni, në një deklaratë për mediet italiane theksoi: “E pashë ndeshjen e djeshme dhe nuk jam i kënaqur. Skuadra ka disa kohë që po luan jo mirë. Sa i përket trajnerit unë nuk flas, sepse kemi një drejtor teknik. Por mund të theksoj se në projektin tonë, ne nuk e synonim zonën Champions këtë vit. Duke qenë se jemi afër do të ishte një surprizë e bukur. Në këto momente u zhgënjyem, sepse ishim aty”.