Gennaro Gattuzo duket se nuk e ka të gjatë aventurën e tij tek Napoli. Rezultatet e dobëta në javët e fundit që po e largojnë skuadrën edhe më shumë nga gara për titull mund të rrezikojnë seriozisht stolin e italianit.
Presidenti i napolitanëve, Aurelio De Laurentiis, nuk është i kënaqur me punën e Gattuzo-s në krye të pankinës së skuadrës dhe po mendon largimin e tij. Mediat në Itali raportojnë se situata në klub është shumë e zymtë dhe fajtori mund të shpallet trajneri.
Më tej shtohet se De Laurentiis po priste dorëheqje nga Gattuzo, por ky skenar mund të jetë i vështirë për t’u realizuar.
Nga ana tjetër mësohet se Napoli ka nisur kontaktet me trajneri Rafa Benitez, i cili momentalisht nuk po drejton asnjë skuadër. Benitez ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i klubit të Dalian në Kinë dhe tashmë pret një ofertë nga Napoli.
Nëse Benitez merr drejtimin e Napolit, do të ishte një rikthim i tij, pasi e ka drejtuar këtë skuadër dhe për dy sezone nga viti 2013 deri në 2015.