Nga Aurenc Bebja*, Francë
“La Dépêche du Berry” ka botuar, të hënën e 21 gushtit 1939, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me vizitën private të mbretëreshës Geraldinë te nëna e saj e sëmurë në qytetin francez të Bourges, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Mbretëresha e Shqipërisë erdhi të dielën në Bourges
Bëhej fjalë për një vizitë krejtësisht private për të cilën sekreti u mbajt në mënyrë rigoroze.
“Qyteti i Bourges pati dje një vizitë mbretërore: atë të Mbretëreshës Geraldinë të Shqipërisë. Por ishte një udhëtim privat i sovranes së re dhe sekreti ishte ruajtur mirë. E mësuam këtë krejt rastësisht.
E dimë se mbreti Zog, mbretëresha Geraldinë dhe princi i vogël Aleksandër, të larguar nga vendi i tyre pas ngjarjeve tragjike që tronditën Shqipërinë të Premten e Mirë (e Shenjtë), shkuan në Greqi, pastaj në veri të Evropës, u ndalën në Bruksel, dhe 8 gushtin e kaluar erdhën për t’u vendosur në kështjellën e Maye-s, në Versajë.
Mbretëresha e re, nga martesa, ka lidhje franceze, nëna e saj, në fakt, është rimartuar me një oficer francez, kolonelin Giraud, i cili zotëron një pronë në Mehun-sur-Yèvre, dhe që ende ka të afërm në këtë krahinë.
Zonja Giraud, e sëmurë, ka qenë në trajtim për rreth një muaj në një klinikë në Bourges. Kjo është arsyeja pse, të dielën në mëngjes, mbretëresha Geraldinë u largua me automjet nga Versaja, e shoqëruar nga princi Abid, kunati i mbretit, princesha Adile, dy motrat e tjera të sovranit dhe një komisar i Sigurisë kombëtare.
Të dy makinat që shpinin sovranen dhe të afërmit e saj mbërritën në Bourges në fund të mëngjesit, dhe vizitorët zbritën në Central-Hôtel. Mbretëresha Geraldinë kaloi pasditen me nënën e saj, pastaj, rreth orës 13, të dy makinat e mëdha u nisën për në Versajë.
Nuk ndodh shpesh që Bourges te presë për vizitë sovranë, madje edhe në mërgim… Dhe kjo vizitë ishte e njohur vetëm për disa njerëz. Mbretëresha Gëraldinë, nëse do ta kishin njohur, sigurisht që do të ishte objekt i shenjave të ngrohta simpatie, sepse askush nuk mbeti indiferent ndaj fatkeqësive që goditën këtë sovrane shumë të re. Pavarësisht nderimeve dhe detyrave të një froni, një mbretëreshë nuk mbetet më pak grua. Ajo dëshironte, fare thjesht, të vinte e të shihte te ne një njeri të shtrenjtë, dhe me të drejtë u mbajt ky diskrecion i madh.”
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania