E përditshmja sportive katalanase “Mundo Deportivo”, që është shumë afër Barcelonës, është hapur sot me lajmin se fituesi i “Topit të Artë” është Lionel Messi. Sipas një burimi pranë kësaj gazete, përfaqësues të “France Football”, që jep çmimin prestigjioz, kanë qenë tw hwnwn në Barcelonë për intervistën dhe setin fotografik me fituesin. “Njerëzit pranë Mesit nuk e konfirmojnë, por as nuk e përgënjeshtrojnë lajmin”, – shkruan “Mundo Deportivo”, që ka besim të madh se fitues është Lionel Mesi.
Përfaqësuesit e “France Football” janë mësuar të lëvizin në fshehtësi, por ndoshta këtë herë janë zbuluar. Një gjë është e sigurt: fituesi është zgjedhur tashmë dhe gazeta franceze ka mbaruar punë me të, me të gjitha shërbimet, sepse kjo është një javë Championsi dhe lojtarët janë të impenjuar. Deri tani nuk ka të dhëna për udhëtime të tjera të “France Football” drejt Torinos për të takuar Cristiano Ronaldon, apo drejt Liverpulit për të takuar Virgil van Dijk.
Lajmi i “Mundo Deportivo” ka shkaktuar shumë polemika. Përveç diskutimeve të shumta që sjell gjithmonë përzgjedhja e fituesit, ajo që do të shtojë polemikat ka të bëjë me faktin se gjithçka ka qenë e mbyllur para kohe. I drejtë, i padrejtë, i merituar, i pamerituar, i dhuruar. Këto janë diskutimet aktuale. “Është më i miri në botë”, – thonë ata që janë pro Messit. “Këtë vit nuk ka bërë asgjë”, – thonë ata që janë kundër argjentinasit. Pastaj është edhe nëna e Cristiano Ronaldos. “Mafia e futbollit nuk do që djali im të fitojë “Topin e Artë”, – ka thënë ajo për “Sinc Noticias” në fillim të nëntorit. Messi është vlerësuar këtë vit me çmimin ‘Best player’, çka solli tërbimin e Ronaldos, i cili dezertoi ceremoninë. Ka fituar titullin në Spanjë dhe “Këpucën e Artë”, por nuk ia doli në Champions dhe me Argjentinën, ku u mund 2-0 në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës nga Brazili i Alisonit.
Kandidatët e tjerë janë Cristiano Ronaldo, i cili ka fituar Serinë A me Juventusin dhe Ligën e Kombeve me Portugalinë, Van Dijk që fitoi Championsin me një paraqitje të jashtëzakonshme dhe shkoi deri në finale të Ligës së Kombeve. Është edhe portieri Alison, fituesi i Championsit dhe Kupës së Amerikës. Me shumë mundësi braziliani do të kënaqet me “Topin e Artë” për portierët, që jepet për herë të parë këtë vit. Deri të hënën, kur do të jepet çmimi, polemikat me siguri do të shtohen. Për vitin 2019 nuk ka një emër që do t’i bënte të gjithë në një mendje.