Sot jemi të gjithë shqiptarë, sepse nuk ka kufi në dhimbje
Nga Lefteris Charalampopoulos
Shqipëria ka nevojë për solidaritetin tonë në këtë moment të vështirë. Sepse të dy popujt kanë nevoja të përbashkëta, një fat të përbashkët dhe një të ardhme të përbashkët.
Kur fqinji ynë përballet me një tragjedi, atëherë ka nevojë për solidaritetin dhe ndihmën tonë. Sepse kjo mund të ketë të bëjë me shtëpinë ngjitur. Kjo mund të vlejë edhe për vendin fqinj.
Shqipëria është fqinji ynë dhe me popullin e saj na lidhin nyje historike. Dhe këto lidhje u bënë edhe më të forta pasi qindra mijëra shqiptarë erdhën në vendin tonë në kërkim të një të ardhme më të mirë.
Ata punuan fort, shpesh në kushte të mjerueshme, u përballën me një mori problemesh (nga problemet burokratike dhe punëdhënësit cinikë deri në racizmin e hapur në shumë raste), por arritën dhe bënë prokopi.
I kemi shumë borxh atyre, edhe nëse ndonjëherë bëjmë sikur duam ta harrojmë.
Shqipëria tani ka nevojë.
Po përballet me një katastrofë të madhe.
Numëron viktima dhe dëme.
E gjithë ndihma dhe mbështetja është e nevojshme.
Duhet t’ia japim atë.
Shumë mirë bëri qeveria greke dhe shërbimet publike gjithashtu që u mobilizuan në këtë drejtim.
Shoqëria civile duhet të bëjë edhe më shumë.
Shoh në televizion mirënjohjen që shprehin qytetarët e Shqipërisë me shembujt e parë të solidaritetit grek.
Kjo është përgjigjja më e mirë për ata që investojnë në racizmin dhe retorikën nacionaliste.
Sepse popujt, në kohën kur duhet duket se e kuptojnë që nuk ka asnjë kufi as në dhimbje, as në tragjedi dhe as në humanizëm.
Solidariteti mund të ndërtojë ura dhe të krijojë lidhje midis popujve.
Të thyejë paragjykime.
Të tregojë fuqinë e bashkëpunimit.
Të shkatërrojë stereotipet që ekzistojnë për Ballkanin.
Të krijojë zona reale të paqes, miqësisë dhe bashkëpunimit.
Dhe kjo nuk është vetëm punë e qeverive dhe e politikanëve.
Varet nga të gjithë ne.
Fqinji ynë ka nevojë për ndihmën tonë.
T’ia japim me gjithë zemër dhe pa hezitim.
Solidariteti kurrë nuk shkon dëm.
Përktheu: Aleksandër Marku