Analisti Lorenc Vangjeli tha në një intervistë për Euronews Albania se Ilir Meta nuk ka si synim zgjedhjet e 14 majit, por po përgatitet për zgjedhjet e 2025, ku kërkon të jetë kryetari i opozitës.
“Llogaritë e tyre në të gjitha rrethanat i nxjerrin humbës. Kam përshtypjen që shumë pak i kanë vënë re. Zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhje politike. Nëse për Berishën këto janë zgjedhje që gati marrin ngjyresën e një beteje finale, interesi i Ilir Metës është tjetër gjë. Meta duke mos hyrë në garë në asnjë bashki, por duke tentuar të luajë vetëm për proporcionalin në thelb përgatitet për garën e 2025. Meta nuk lufton thjesht për të ri-ngritur partinë e tij. Ai po tenton të shkojë drejt garës të 2025, nën mantelin e kryetarit të opozitës”, tha Vangjeli.
Ai komentoi edhe përçarjen e PD para zgjedhjeve vendore.
“Të dyja palët patën shansin që të mos bashkohen, se interesi që i ndan ato është shumë i madh. Nuk ka mundësi që kontradikta e tyre thelbësore të zgjidhet. Kjo kontradiktë kalon nëpërmjet një emri që është Sali Berisha. Skena e zgjedhjeve mund të sjellë disa surpriza, njëra prej tyre ka të bëjë me tentativën dhe besoj se do të jetë sërish një akt i mbetur në tentativë i njërit grup të PD-së, të Bashës dhe Aliebajt. Ata do të vazhdojnë që do të pretendojnë të hyjnë në zgjedhje, por nuk do të kenë asnjë kandidat. Ata do pretendojnë që do mbështetin kandidatët e PD-së. Do refuzojnë hyjnë në garë konkrete për bashki, me qëllim për të siguruar alibinë. Berisha ka nevojë për alibi për rezultatet e zgjedhjeve”, u shpreh ai.