I qetë dhe me vetëdije të plotë se skuadra që ai drejton nuk mund të humbë titullin. Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, para transfertës me Kastriotin në Fushë Krujë.
Shprehet se ekipi i tij duhet të tregohet serioz, për ta siguruar edhe matematikisht sa më parë trofeun.
Kastrioti i ka pikët më të domosdoshme…
Secili ka planet dhe objektivet e veta. Jemi profesionistë, s’ka mbaruar asgjë. Personalisht, mendoj se do të jemi të kujdesshëm dhe seriozë për të marrë gjithë frytet.
Mund të vendos Partizani fatet e sezonit?
Asnjëherë s’kemi thënë që jemi të pathyeshëm. E kemi filluar me një humbje në Korçë sezonin. Jemi paragjykuar. Pikët na bëjnë komodë, që të mos kemi presionin që kemi pasur. Janë ca gjëra që duhet të funksionojnë bashkë, deri tani ka funksionuar. I kemi marrë secilit më tepër seç kemi pritur në fillim. Do t’i marrim me radhë.
Keni uruar që Tirana të mbijetojë…
Kam dhënë një mesazh “fair play”. Kundërshtarët shekullorë i duam në ligë. Nuk varet nga ne. Është puna e tyre, janë dobësitë e tyre. Jam trajner i Partizanit dhe do të ngelem i Partizanit edhe jashtë fushës. Tirana i jep bukuri, edhe Dinamo, edhe Shkodra. Do të doja të ishin gjithmonë në ligë. Mendoj që derbi i fundit është interesant. Do të mundohemi për maksimumin.”
Çfarë ka më tepër Partizani për ta fituar takimin?
Besoj pikët. Ka një arsye pse jemi këtu. Është grupi më i fortë, me lojtarë cilësorë, me kualitet, e njohin fanellën dhe kanë përgjegjësi.
Në Fushë-Krujë ka qenë e vështirë për të gjithë skuadrat për shkak edhe të terrenit…
Jemi përgatitur edhe për fushën. Edhe unë s’kam qenë i kënaqur. Janë ca gjëra s’mund t’i rregullojmë tani. Do të doja që edhe Kruja të kishte fushë më të mirë. Jemi besimplotë, e kemi potencialin.
Mema tha se po luhet nëpër tavolina…
Në konferencë për shtyp nuk bëjmë muhabet tavolinash. Është perceptimi i tij. Është e drejta e tij si t’i shpërndajë gjërat që i ndodhin në punë. Në Gjirokastër nuk është ekipi i parë dhe i fundit që kemi humbur. Nuk kam asnjë lloj komenti.
Kukësi nuk thotë më ‘luftojmë për titull’…
Ndoshta i shikojnë gjërat me diplomaci. Kemi edhe 7 javë, shpresoj të jemi këtu përballë një fakti. Deri në momentin e fundit nuk do të them se jemi kampion. Tani kemi Krujën.
Kastrioti ka marrë 20 pikë në 2019-ën…
E kam vlerësuar edhe në intervista. Ka ekip me ego, me djem të rinj, me personalitet. Nuk është fusha që i heq meritat. Do të mundohemi të ballafaqohemi siç na ka hije.
E ardhmja juaj?
Nuk e di, e ardhmja jonë e afërt është finalizimi i kampionatit. Pas kampionatit gjërat do të qetësohen, për mua dhe futbollistët. Ulet klubi dhe bën një projekt, uroj të jetë mbas një triumfi.
Mund të shkoni në Kupat e Europës me këta lojtarë?
Jemi ende në prill. Ky grup ishte që luajti me Mariborin, edhe pse njerëzit patën pritshmëri të madhe. Ne dolëm me duartrokitje. Lojtarët janë rritur. E dua këtë grup, sikur edhe të mos të vijë asnjë tjetër. Edhe nëse s’ka ndryshime do të ketë performancë të jashtëzakonshme. Puna bën diferencën.