Sport Mema: Pa tifozë ndeshje e vdekur, Muçi titullar është mesazh për të...

Mema: Pa tifozë ndeshje e vdekur, Muçi titullar është mesazh për të gjithë

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, nuk ka kohë të qetësohet, sepse pas fitores në Durrës i duhet të përballet me Kukësin, para se të ndeshet dy herë rresht me Luftëtarin mes Kupës e kampionatit. Një udhëkryq i rrezikshëm, por Tirana ka pasur shumë të tillë këtë sezon dhe Mema kërkon vetëm që të luhet futboll i pastër dhe ekipi i tij të vijojë me paraqitjet e ndeshjeve të fundit.

Kukësi përpara dhe 3 ndeshje në një javë – “Përqendrim maksimal nga të gjithë, asnjë dallim mes kompeticioneve. Kemi qenë goxha mirë në Durrës, duhet të vijojmë prej aty.

Tifozët? Keqardhje që nuk do jenë, janë pjesë shumë e rëndësishme e jona dhe e pamë edhe në Durrës. Ngo? Kthim goxha pozitiv, sepse me të ekipi ka më shumë besim te vetja. Megjithatë, edhe lojtarët që kanë qenë të gatshëm në ndeshjet e fundit më kanë pëlqyer shumë, kanë qenë të rëndësishëm. Ngo ka pak ditë që stërvitet, në mënyrë individuale më herët, ndaj është rikuperuar, por në një fazë kaq delikate dhe pas një pushimi disi të gjatë, Michael duhet administruar mirë.

“Kukësi dhe motivimi i tyre? Ne duhet të përqendrohemi në maksimum në çdo ndeshje. Nuk e them dot që jemi të avantazhuar, do ta shohim nesër, aq më shumë do jemi pa tifozë, pa ta do jetë si ndeshje e vdekur. Na duhen pikët, duhet t’i marrim.

Muçi titullar në Durrës? Luan kush më bind në stërvitje, ai më ka bindur prej kohësh. Nuk ka rëndësi mosha, nuk fitohet me deklarata.

Futbolli i tavolinave? Dua Fair Play në çdo ndeshje, vetëm kaq, nuk dua të merrem me akuza e polemika. Di vetëm që Tirana luan në fushë dhe pranon çdo rezultat që prodhon fusha.