Genti Ibrahimi, ish-kryetari i KLP-së, është gjyqtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese. Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar emërimin e Ibrahimit në “Kushtetuese” këtë të mërkurë. Mësohet se ai e merr këtë detyrë për të plotësuar vakancën e krijuar pas mbarimit të mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo.
Përveç drejtimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Ibrahimi ka drejtuar për pothuajse 19 vjet Institutin për Studime Publike & Ligjore, një organizatë e shoqërisë civile me orientim kërkimor/shkencor në fushën e qeverisjes dhe sistemit të drejtësisë.
Gjatë gjithë këtyre viteve ai është angazhuar sistematikisht në mësimdhënie dhe trajnime në Shkollën e Magjistraturës. Në vitet 2014 – 2016, Ibrahimi shërbeu si ekspert i nivelit të lartë në grupin e ngushtë të ekspertëve të angazhuar nga Komisioni Parlamentar Ad Hoc për Reformën në sistemin e Drejtësisë.
Në vitet 2008–2013, Ibrahimi ka shërbyer si anëtar i Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit (organi pararendës i Autoritetit të Mediave Audiovizuale të sotëm).
Në vitet 1998–1999 ka shërbyer si Këshilltar dhe Drejtor Kabineti i Ministrit për Reformën Legjislative dhe Marrëdhëniet me Kuvendin i ngarkuar me detyrën e koordinimit të procesit të hartimit dhe miratimit të Kushtetutës të vitit 1998 dhe paketës legjislative post kushtetuese.
Në vitet 1993–1998, Ibrahimi ka punuar si pedagog i së drejtës administrative në fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe si specialist pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.