Kulturë Gërmimet nën rrënojat e gjimnazit në Durrës, zbulohet mozaiku i një pishine...

Gërmimet nën rrënojat e gjimnazit në Durrës, zbulohet mozaiku i një pishine të lashtë

Nëntoka e Durrësit vazhdon të mbartë mistere dhe të dhëna të rëndësishme nga trashëgimia kulturore.

Së fundmi, ka dalë në dritë një mozaik i ri nën rrënojat e gjimnazit “Gjergj Kastrioti”.

Struktura mendohet që të jetë bazamenti i një pishine të lashtë. Deri më tani, mësohet se mozaiku është me një sipërfaqe prej 1200 metra katrorë.

Specialisti Luan Përzhita shpjegon detaje rreth këtij zbulimi, i cili do të vijojë të pasurohet më tej në gërmimet që po kryhen.

“Ky muze është zbuluar në pishinën e kësaj vile, pra kemi të bëjmë me ndërtimin e një pishine e cila tregon për një nivel të lartë të ndërtimeve dhe të organizimit të saj, por ndër të tjera kemi edhe trajtimin e kësaj pishine me afreske shumëngjyrëshe”, tha Përzhita.

Gërmimet në këtë zonë po vijojnë prej 10 ditësh dhe arkeologët janë të bindur se do të ketë edhe zbulime të tjera.

“Jemi në një situatë që mund të themi me bindje që çdo do të kemi një gjë të re në këtë set arkeologjik”.

Gërmimet rinisën në fillim të muajit pas një pezullimi 6 mujor, ndërsa arkeologët u rikthyen në kantierin e ndërtimit të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, ku u gjet një mozaik floreal i shekullit I të erës sonë.

Fillimi i gërmimeve në ditë e parë të punës solli gjetje të rëndësishme si rifiniturat e veshjeve të brendshme të vilës, pllaka me dekoracione të Mesdheut, veçanërisht në Pompei, të cilat datojnë para dhe pas lindjes së Krishtit.

Mozaiku floreal, datuar nga fundi i shekullit të parë dhe fillimi i shekullit të dytë, i gjetur në një vilë luksoze pranë Amfiteatrit të Durrësit, është vlerësuar si një nga zbulimet më interesante të nëntokës së qytetit.

Gërmimet arkeologjike po zhvillohen në zonën ku pritet të ndërtohet shkolla “Gjergj Kastrioti”, me thellësi prej 6.75 metra dhe sipërfaqe paraprakisht të përbashkët prej 560 m².

Për këto gërmime, Bashkia e Durrësit ka akorduar një fond prej rreth 13 milionë lekësh të reja.