Për programin “Historia ime”, në TV Klan në një lidhje në Skype nga Venecia ishte ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi.
Për De Biasin ka filluar java e tretë në karantinë dhe e pranon që nuk është e lehtë, por bën thirrje edhe për gjithë shqiptarët që duhet të jenë si një skuadër e bashkuar.
Më tej, ish-trajneri shprehet se këto ditë i mungon së tepërmi të takojë njerëz dhe i vjen keq për jetën e mëparshme, para izolimit.
Mirela Milori: E sata ditë është në karantinë për ju?
Gianni De Biasi: Janë dy javë, e treta filloi tani. Nuk është e lehtë sinqerisht, por duhet t’ja dalim, e them sepse e di që në Shqipëri keni të njëjtat kufizime si ne. E them për të gjithë shqiptarët, që duhet të jeni një skuadër e bashkuar, duke qenë një popull i vogël me pak njerëz është më e thjeshtë për ta mbajtur të izoluar virusin. Por nëse të gjithë dalin lirshëm në rrugë, sikur nuk ka ndodhur asgjë, në fund duhen paguar pasojat dhe kjo është diçka që duhet ta shmangni medoemeos. Shikoni problemet që kemi në Itali, kemi sistem shëndetësor të nivelit të lartë, por të pamjaftueshëm për të mposhtur këtë problem.
Mirela Milori: Çfarë ju mungon më shumë në këto ditë?
Gianni De Biasi: Më mungon fakti që nuk takoj njerëz, mua më pëlqen të rri mes njerëzve dhe mos jem i izoluar. Tani jam vetëm prej shumë kohësh, do doja të dilja. Më vjen keq për jetën e mëparshme, për lirinë, për kohën pa mendimet kur mund të mbarojë kjo karantinë, kjo situatë emergjente. Problemi i vërtetë do jetë t’’u besojmë njerëzve, ti përqafojmë, nuk do jetë e lehtë.
Mirela Milori: Si po i kaloni këto ditë?
Gianni De Biasi: Po e kaloj në arrest shtëpie edhe pse nuk kam bërë asnjë krim, fatkeqësisht rri në shtëpi. Duhet të rrimë të gjithë në shtëpi për të evituar që edhe virusi të përhapet edhe më shumë.
Mirela Milori: Si është familja juaj?
Gianni De Biasi: Janë mirë të gjithë, faleminderit Zotit. E gjithë familja ime e madhe, nëna ime, vëllezërit, gruaja, ime bijë dhe miqtë e afërt. Është e qartë që realiteti është shumë i shëmtuar me probleme të mëdha. Shpresojmë t’ia dalim në këtë situatë emergjente.
Mirela Milori: Si e kaloni ditën?
Gianni De Biasi: Nuk dal, dal në kopshtin e shtëpisë, se e kam shtëpinë me kopsht. Mund të dal po pak, dola sot për 20 minuta në mëngjes, ishte një diell i bukur, pasdite dola pak. Pjesa tjetër mbyllur në shtëpi duke lexuar, duke studiuar, gatuaj ndonjëherë për të ulur tensionin dhe problematikën që po jetojmë.
Mirela Milori: Mesa di po shkruani diçka, është një libër në lidhje me Shqipërinë apo?
Gianni De Biasi: Kush jua tha këtë gjë? Në këtë periudhë meqë kohën e kam, për ta kaluar po vendos të shkruaj në letër të gjithë historinë time, nga takimi i parë, telefonata e parë deri në momentin kur u largova në verën e 2017. Moment që më vjen keq për disa aspekte sepse lashë një pjesë të bukur të zemrës time në Shqipëri.
Më tej, De Biasi ka dhe një mesazh për gjithë shqiptarët duke u shprehur se ajo që kërkon më shumë nga Shqipëria është të jetë një popull i bashkuar, i shëndetshëm dhe i përgjegjshëm për veten, por dhe njëkohësisht duke i bërë një të mirë skuadrës që quhet Shqipëri.
Gianni De Biasi: Ajo që ju them është të shtrëngoni dhëmbët, por në këtë moment mund të gjejmë vlerat e të qëndruarit bashkë, të rrimë me familjen tonë, të kultivojmë ato interesa që nuk kemi mundësit ti kultivojmë gjatë kohës kur punojmë, ndoshta edhe të mësojmë një gjuhë të re. Jam e bindur se kur të dalim nga kjo emergjencë, do të jemi të gjithë pak më të mirë dhe tolerantë ndaj personave dhe gjithashtu ndaj ambientit që na rrethon. Duhet ta kthejmë në vlerë këtë moment që kalon, nuk duhet ta çojmë dëm, por të dalim më të fortë sa më parë dhe çfarë kërkoj më shumë nga Shqipëria është të jetë një popull i bashkuar, i shëndetshëm. Ndaj të jeni të përgjegjshëm për veten tuaj dhe njëkohësisht i bëjmë një të mirë skuadrës që quhet Shqipëri.