Extra Gjashtë ishuj që mund të blihen më lirë se një apartament në...

Gjashtë ishuj që mund të blihen më lirë se një apartament në Europë

Shannon McDonagh, Euronews Travel

Ndërkohë që të gjithë vendet e botës po përgatiten për të rihapur sezonin e tyre turistik, ka ardhur pikërisht çasti që të gjenerojmë ide të reja se ku mund të kalojmë pushimet tona të radhës.

Vila plot diell, shtëpiza të këndshme verimi të struktura diku pranë një liqeni të qetë, ose një apartament në qendrat e zhurmshme të një qyteti metropol. Mund të jetë edhe koha që të investojmë në një prej tyre, pasi kemi kaluar të paktën 18 muaj duke punuar nga shtëpia, të limituar e kufizuar nga ndërprerjet e udhëtimeve.

Ekipi i Euronews Travel, dëshiron t’ju shtyjë të ëndërroni paksa. Po sikur të mund të blinit një ishull tuajin privat, për të njëjtin çmim si një apartament tuajin në qendër të Europës?

Pas kërkimeve të shumta, mund të themi se kemi gjetur një listë me vende pushimi që mund t’ju kushtojnë njësoj sa një 2+1 në Spanjë, por me shumë më tepër hektarë sipërfaqe dhe opsione të tjera plus.

Këto janë 6 gjetjet tona të mahnitshme, bashkë me atë që ju do të mund të blinit për të njëjtin çmim, nëse do të ishit duke kërkuar nëpër qendrat më energjike të Europës.

Ishulli ‘Big Tancook’ në Nova Scotia – €56,898

Ishulli Big Tancook në fakt gjendet në treg në formën e një parcele, që do të thotë se ju mund të blini pjesë të tij për një kompleks familjar, hotel apo sajt kampingu. Një blerje e jashtëzakonshme, duke marrë parasysh që na u desh të kërkonim gjatë, për të gjetur një blerje ekuivalente për një apartament 1+1 në Europë.

Kjo sipërfaqe në provincën Kanadezë të Nova Scotia, paraqet një ofertë mjaft të mirë për fansat e një jete të thjeshtë dhe të qetë. Brigjet detare shkëmbore të Nova Scotia-s si dhe liqenet e pellgjet ujore të fshehura e të veçuara janë ëndrra e peshkatarëve, të cilët përbëjnë një pjesë të popullsisë së vogël prej 125 banorësh të tjerë që do të ndanin këtë ishull me ju.

Çfarë mund të blinit për të njëjtin çmim në Europë: Një dhomë hoteli të rimodeluar në Sunny Beach, Bullgari.

Ishulli Danhattan, SHBA – €263,281

Ëndërrimtarët e kabinave prej druri nuk kanë pse të shohin më larg – Ishulli Danhattan në Conneticut-in e fjetur dhe rural vjen i gatshëm me një shtëpi druri të projektuar për të strehuar 8 vetë.

Toka prej gjysmë hektari shtrihet në Liqenin Ashland, dhe blerësit do të mund të shijojnë edhe portin ankorues që gjendet fare pranë pasi pjesë e ofertës është edhe një barkë. Po po, një barkë e tera për ju. Kjo, nëse dëshironi të hiqni dy gjëra nga lista juaj këtë vit.

Çfarë mund të blini për të njëjtin çmim në Europë: Një apartament 1+1 me një Spa të përbashkët në Algarve, Portugali.

Ishulli Majestic, SHBA – €274,982

Liqeni Beaver Dam në Wisconsin, SHBA është shtëpi e diçka më pak se 26 ishujsh të emëruar në mënyrë mjaft kreative, përgjatë një hapësire ekspansive prej 6.718 hektarësh. Ishulli Majestic është mbase një prej emrave më pak të jashtëzakonshëm por a ka rëndësi emri kur i jep vetes të drejtën të qëndrosh mbi hektarë të tërë të ishullit tënd privat?

Majestic ofrohet në treg për momentin bashkë me një shtëpizë larg zhurmës; vendi perfekt për të parë aktivitetin e ëmbël të faunës vendase.

Çfarë mund të blini për të njëjtin çmim në Europë: Një apartament 1+1 me tarracë në Malaga, Spanjë.

Ishulli Bocal, Nikaragua – €292,535

Tashmë kemi hyrë në territorin e resorteve. Ky ishull vjen së bashku me një shtëpi miqsh 2+2, një shtëpi për punonjësit e shërbimit, një pishinë e stilit “infinity”, një mol, dhe milje të tëra plazhi rënor.

Në përgjithësi nuk do ta gjenit kurrë në treg me një çmim kaq të lirë, duke marrë parasysh hapësirën e tij dhe klimën magjepsëse tropikale të Nikaraguas. Por, kjo ulje vjen si pasojë e faktit se pronari ka në plan të bëjë rinovime të shumta në të ardhmen e shkurtër, ndaj blerësit e këtij ishulli do të kenë dhe shumë gjëra që do t’ia bëjnë qëndrimin edhe më emocionues.

Çfarë mund të blini për të njëjtin çmim në Europë: Një vilë 2+2 në Zante, Greqi.

Isla Carabana Sol, Panama – €336,782

Ky ishull vjen i kompletuar me një anije me vela të ankoruar, një garazh për motobarkën tuaj të shpejtë si edhe një pronë me dy apartamente të cilat janë gati për blerësit e radhës.

Ky ishull është dizajnuar me siguri duke pasur ndër mend njerëz të cilëve u pëlqen të festojnë, duke qenë se komoditete të tjera që ky ishull ofron janë: një kuvertë e ngritur e pajisur me një BBQ, vaskë hidro-masazh, një kasolle e stilit tiki, një plazh rënor privat si edhe një lagunë private me ujë plotësisht të kthjellët dhe transparent.

Në mënyrë që mos të ndjeheni shumë të veçuar, ishulli ofron shërbim mjaft të mirë Wi-Fi dhe sinjal telefonik, si edhe është i stacionuar vetëm një udhëtim të shkurtër me barkë larg prej një numri të madh baresh e restorantesh.

Çfarë mund të blini për të njëjtin çmim në Europë: Një shtëpi qyteti 2+2 në Toskana, Itali.

Ishulli Iguana, Nikaragua  – €396,951

Kjo ishte gjetja jonë më e shtrenjtë që përfshin 5 hektarë plazh më rëre të bardhë si dhe një xhungël të fshehur, nën një mantel palmash arra kokosi si dhe pemë bananesh që ofrojnë maksimumin e privatësisë.

Kjo pronë përfshin një shtëpi 3+1 me 2 tualete, një oborr të rrethuar, dhomë pritje, bar si dhe akomodim për stafin. Këtu do të gjeni edhe një pedonale që zgjatet përgjatë të gjithë ishullit, dhe së fundmi një far 5.5 metër të lartë.

Dhe e gjithë kjo ofrohet për të njëjtin çmim si një apartament në qendrat europiane të Parisit, Londrës apo Romës.