Opinione Gjelbërim apo betonizim?

Gjelbërim apo betonizim?

Laguna e Karavastase

Nga Lutfi Dervishi

Emrat e 12 deputetëve të Partisë Socialiste, që morën nismën për të ndryshuar “ligjin për zonat e mbrojtura”, dhe për t’i hapur rrugë investitorëve strategjikë do të gdhenden në kujtesën e çdo shqiptari si luftëtarë të zhvillimit.

Në një sqarim që mallëngjeu të madh e të vogël deputetët e shumicës sqaruan se bëhej fjalë vetëm për investime ekologjike.

Me një votim të shpejtë, të denjë për rekordet e vendosur në Formula Uno, deputetë e shumicës i hapën rrugën strukturave akomoduese moderne.

Një Shqipëri baritore, e sunduar nga livadhet, lëndinat, parqet, lagunat, një vend ku mbizotëron qetësia që thyhet nga cicërimat e zogjve, një vend ku mushkëritë e njerëzve befasohen nga oksigjeni i lartë, është një vend i botës së tretë, i pa denjë për shekullin e 21- tha një deputete që ka tri vite që poston në Facebook foto nga ndotja e plazheve me shishe uji.

Si mundet që në vitin 2024 të shohim dhe të kënaqemi me yjet në qiell, po ashtu si homo sapines 10 mijë vjet më parë? Është koha për të shijuar  yjet e hoteleve me pesë yje!

Për fat të keq ka plot njerëz në Shqipëri që ende nuk e kanë kuptuar se thesari i vërtetë i vendit të shqiponjave  nuk është as nafta e Shpiragut, as hidrogjeni i Bulqizës dhe as ujëmbledhësi i Fierzës, thesari i vërtetë i këtyre trojeve të lashta sa Troja është betoni i bekuar.

Zonat e mbrojtura që deri dje janë quajtur gabimisht mushkëritë e gjelbra të vendit, në fakt duhet të jenë mushkëritë e ekonomisë.

Njerëzit që nuk e kanë kuptuar se pemët, livadhet dhe kafshët e egra janë pengesë në rrugën e përparimit të vendit janë të ashtuquajturit ambientalistë apo ekologjistë. Çfarë kuptimi kanë të ashtuquajturat bukuri natyrore para magjepsjes nga betoni me ngjyrë të kuqërremtë?

Çfarë kuptimi ka të vijnë turistët dhe të enden në xhungla natyrore kur mund të shijojnë fare bukur xhunglën e betonit?

Dhe nga këto të ashtuquajtur xhungla betoni burojnë para pa fund.

A keni dëgjuar ndonjëherë që gjethet e gjelbërta, bari (nga ai që hanë lopët dhe dhitë), apo ajri i pastër të kenë paguar ndonjë faturë?

Duke zëvendësuar këto pemë dhe shkurre të bezdisshme si ato të Divjakës me struktura të shndritshme prej çeliku dhe betoni, hapim pash mirë pash  kanatat e prosperitetit.

Imagjinoni pak kantieret që do të inspektohen rregullisht nga ministra dhe dora vetë Lartësia e tij Kryeministri. Përfytyroni pak sa foto, sa video, sa selfi do të shikoni dhe sa  këngë do të dëgjoni për mrekullinë e ndërtimeve në parqe dhe zona që deri dje mbroheshin nga një ligj absurd?

Kush ka nevojë për pyje që prodhojnë oksigjen kur do të kemi pa fund ajër të kondicionuar, të certifikuar sipas standardeve më të larta të BE-së, ajër  që do të prodhohet duke shfrytëzuar energjinë diellore?

Po le të jemi pak realistë dhe të sinqertë me veten. Natyra është pak primitive dhe shumë tekanjoze. Është e paparashikueshme, e mbushur me miza dhe insekte, baltë dhe lluc. Çfarë lidhje kanë këto atavizma me jetën tonë moderne? Habitem si na durojnë sytë duke parë ligatina, përrenj, lumenj, laguna e  këneta, kur mund të kullotësh sytë në një pishinë olimpike të stolisur për merak me beton me ngjyrë blu?

Fundja e fundit, nëse pranojmë teorinë e evolucionit, njeriu nuk mund të bashkëjetojë gjithë jetën me natyrën. Evolucion do të thotë përshtatje me modernitetin dhe shpikjet e tij.

Tashmë është provuar se shpikja që ne vlerësojmë më shumë dhe me të cilën kemi një dashuri që nuk po e konsumojmë është ..betoni.

Një dolli për 12 deputetët nismëtarë dhe gjithë grupin e PS-së që është në ballë të betejës për transformimin e madh nga Gjelbërimi në Betonizim!