Gjetja e trupit të pajetë të shqiptarit Petros Kolecis ishte epilogu tragjik i kërkimeve për të zhdukurit e përmbytjeve të ditëve të fundit në Greqi. 28-vjeçari kishte dalë nga shtëpia në mëngjes herët për të shkuar në punë, por trupi i tij u gjet në Gjirin e Elefsinës të shtunën, duke e çuar në 19 numrin e viktimave. Mediat greke raportojnë se identifikimin e emigrantit shqiptar e kishte bërë vetë babai i tij që punonte si roje sigurie në spitalin ku u çuan 3 viktimat e gjetura ditën e shtunë. Petro Koleci nga fshati Kodër i Sarandës mësohet se prej 25 vitesh jetonte në zonën e Mandras në Athinë ku dhe punonte si hidraulik.
Ekipet e emergjencave vijojnë kërkimet edhe për 3 persona që rezultojnë të zhdukur dhe që mendohet se janë zënë poshtë nga balta, por shpresat për gjetjen e tyre sa vijnë e shuhen.
Moti i keq që goditi disa zona të Athinës shkaktoi dëme të konsiderueshme, ndërsa ka lënë pa energji dhe uji mijëra banorë. Më shumë se 2 mijë familje gjenden në kushte të vështira dhe kërkojnë ndihmën e shtetit, pasi shtëpitë e tyre janë të pabanueshme pas përmbytjeve që goditën Atikën Perëndimore.