Aktualitet Gjendja e të prekurve nga koronavirusi, 3 prej tyre nuk kanë asnjë...

Gjendja e të prekurve nga koronavirusi, 3 prej tyre nuk kanë asnjë shenjë

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, ishte e ftuar në Ditarin e orës 09:00 në A2, ku ndër të tjera foli edhe për gjendjen aktuale të 6 personave të prekur nga koronavirusi në Shqipëri.

Zëvendësministrja bëri të ditur se 3 nga të infektuarit nuk kanë asnjë shenjë të koronavirusit edhe pse janë bartës të tij, ndërsa theksoi se gjendja e 3 personave të tjerë në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive është e qëndrueshme.

“Tre nga personat e prekur nga koronavirusi janë të shtruar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive dhe gjendja e tyre paraqitet e qëndrueshme. Klinikisht, këto nuk janë raste të rënda. Nga informacionet e fundit që unë kam, ata kanë qenë edhe pa temperaturë, në ndryshim nga një ditë më parë. Për momentin, atyre nuk u rrezikohet jeta. Tre rastet e tjera, janë persona që kanë pasur kontakt me këta persona. Ata nuk kanë deri tani asnjë shenjë të sëmundjes.

Mund të jesh bartës i koronavirusit pa simptoma dhe ke aftësinë për ta transmetuar atë. Nëse sëmundja do të zhvillohet, atëherë këta persona do të shkojnë në strukturat spitalore”, tha zëvendësministrja.