“Si të duket gjendja në Shqipëri, pas largimeve të njëpasnjëshme të shqiptarëve”, ka qenë një nga pyetjet e moderatorit Ermal Mamaqit, drejtuar kryeministri Edi Rama në emisionin “Xing me Ermalin”.
Kreu i qeverisë tha se gjendja është shumë mirë nga sa ishte më herët, por edhe larg të qenit aq mirë sa duhet të jetë.
Ermal Mamaqi: Si të duket gjendja në Shqipëri?
Edi Rama: Është shumë më mirë së ç‘ishte dhe larg të qenit aq mirë sa duhet të jetë.
Ermal Mamaqi: Është shumë larg, se unë po shoh njerëz që duan të ikin?
Edi Rama: Ku i shikon?
Ermal Mamaqi: Mua dikush më ka thënë, por nuk ja them dot emrin se mund të hajë burg. Një statistikë është që janë larguar 300 mijë persona nga vendi, por ikin mjekë, hidraulikë, infermierë. Sa e vërtetë është kjo?
Edi Rama: E vërteta është kjo që shqiptarët kanë filluar të ikin që në vitet 1990, dhe lavdi Zotit nuk jemi më në bunker që të mos dalim dhe të mos hymë.
Ka shqiptarë që vinë dhe që ikin. E vërteta e shifrave reale të 10 viteve të fundit 2007-2017 është që midis të ikurve dhe të ardhurve ka një diferencë 195 mijë njerëz. Dhe ndërkohë kjo është një tendencë në të gjitha vendet që njerëzit synojnë të shkojnë drejt vendeve të pasura.
Kroacia në vitin 2017 ka humbur 50 mijë njerëz, që është vend i Bashkimit Europian dhe është shumë më e zhvilluar se ne. Kjo është një tendencë që nuk është as shqiptare dhe nuk mund të frenohet se po bëhet këtu një mrekulli, se mrekullitë nuk ndodhin. Përparimi ynë është konstant.
Dhe nuk mund ta bëjmë Shqipërinë një vend konkurrent me Francën, Anglinë apo Gjermaninë. Ne patjetër kemi shumë probleme, por problemi ynë nuk është se vetëm shqiptarët lëvizin, nga kjo lëvizje shqiptarët vetëm kanë përfituan, nuk kanë humbur.
Falë emigracionit jemi mbajtur në 20 e kusur vite. Kanë ikur 1 milionë shqiptarë që nga vitet ‘90 deri në vitet 2000.