Bota Gjenerali i lartë amerikan parashikon “luftë SHBA-Kinë në vitin 2025”

Gjenerali i lartë amerikan parashikon “luftë SHBA-Kinë në vitin 2025”

Ushtria kineze

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të përballen në luftë me Kinën brenda dy viteve: Mike Minihan, kreu i Komandës së Lëvizshmërisë Ajrore të SHBA-së, ka dhënë alarmin në një raport konfidencial. Ndërkohë, Xi Jinping udhëzon ideologun e tij të gjejë një ide të re për ribashkimin e Tajvanit

“Shpresoj të gabohem, por instinkti më thotë se do të luftojmë në vitin 2025”. Ky është parashikimi i gjeneralit Mike Minihan, kreut të Komandës së Lëvizshmërisë Ajrore të SHBA.

Por me kë kaanë gjasa që Shtetet e Bashkuara të hyjnë në luftë? Oficeri i Forcave Ajrore ka në mendje Kinën.

Teatri i konfliktit do të ishte Tajvani, ishulli demokratik që Xi Jinping i është betuar Partisë dhe kombit kinez për ta “ribashkuar”.

Minihan e njeh mirë skenarin për të cilin po flet, pasi ka qenë numri dy në Komandën e SHBA-së të Indo-Paqësorit, e cila do të udhëhiqte forcat amerikane në një përleshje hipotetike me Republikën Popullore të Kinës.

Gjenerali me katër yje shprehu shqetësimet e tij në një memorandum të brendshëm për oficerët e tij të shtabit. Ndoshta ai synonte ta mbante atë konfidenciale, ose ndoshta jo: në fakt, përmbajtja u zbulua në TV amerikan “NBC” dhe u publikua nga “Financial Times”.

Gjenerali amerikan Mike Minihan

Ky është alarmi më dramatik për rrezikun e afërt të shpallur nga një gjeneral i Pentagonit në lidhje me Kinën.

Komandanti shkruan: “Xi Jinping mori mandatin e tretë si Sekretar i Përgjithshëm komunist në tetor dhe krijoi menjëherë një këshill lufte. Zgjedhjet presidenciale do të mbahen në Tajvan në vitin 2024 dhe ato do t’i ofrojnë Xi-së një arsye.

Ky motivim mund të jetë zgjedhja si president i Tajvanit të Lai Ching-te, zëvendësi aktual i pragmatikes Tsai Ing-wen.

Lai Ching-te është ende pak i njohur në Perëndim, por në Taipei ai përshkruhet nga shkencëtarët politikë si një radikal që nuk e ka braktisur kurrë ëndrrën e tij për pavarësi: fjalë e ndaluar për Pekinin.

Fushata elektorale do të jetë e ashpër, siç ka qenë traditë në ishullin demokratik që vetëqeveriset që nga viti 1949: deklarata të ashpra sigurisht që do të vijnë në muajt e ardhshëm për marrëdhëniet me regjimin komunist, të cilat mund të provokojnë një reagim kinez.

Sipas gjeneralit Minihan, ka një tjetër factor që duhet të merret në konsideratë: 2024 do të jetë gjithashtu një vit elektoral në Shtetet e Bashkuara dhe “Amerika do të shpërqendrohet”.

Përfundimi: “Skuadra e pushtetit Xi-së dhe arsyeja e tij, do të përafrohet deri në vitin 2025”.

Diçka shumë serioze për t’ia lënë ushtrisë

“Lufta! C’est une chose trop grave pour la confier à des militaires”, – tha në vitin 1917 Georges Clemenceau, i thirrur në moshën 76-vjeçare për të udhëhequr qeverinë franceze, në një moment kritik të Luftës së Parë Botërore.

Ai ishte i ashpër, e quanin “Tigri”, me atë shprehjen, “lufta është një çështje shumë e rëndë për t’u vendosur në duart e ushtarakëve”, ai donte të sqaronte se politika ka gjithmonë komandën e fatit të një kombi.

Letër Papa Françeskut

Prandaj është ngushëlluese që të hënën e kaluar, presidentja tajvaneze Tsai Ing-wen, i shkroi Papës: “Lufta me Kinën nuk është një opsion”.

Megjithatë, zonja i përsëriti Selisë së Shenjtë (e cila është e vetmja qeveri me peshë globale që ka njohur zyrtarisht qeverinë e Tajvanit) se “vetëm duke respektuar lidhjen e popullit tajvanez ndaj sovranitetit (de facto), demokracia dhe liria mund të përbëjnë bazën për rifillimin e kontakteve konstruktive në Ngushticë”.

Sondazhet e opinionit kanë thënë prej vitesh se shumica dërrmuese e 23 milionë qytetarëve të Tajvanit nuk janë të gatshëm të qeverisen nga partia-shtet e Pekinit.

Një tjetër ngjarje pozitive është planifikuar për javën e ardhshme: Antony Blinken pritet në Pekin, Sekretari Amerikan i Shtetit, i cili po përpiqet të rinovojë dialogun me Xi Jinping, pasi duhet të përgatisë terrenin për takimin e parë kokë më kokë midis presidentit Joe Biden dhe homologun kinez.

Ndoshta interpretimi më i mirë i alarmit të ngritur nga gjenerali Minihan është se Shtetet e Bashkuara dhe Kina po garojnë me kohën për të shmangur një konflikt.

Ish-admirali amerikan pritet në Taipei

Sërish po bën bujë edhe admirali Philip Davidson, i cili kur ishte kreu i Komandës Indo-Paqësorit të forcave të armatosura amerikane, kishte parashikuar sulmin e Kinës kundër Tajvanit “deri në vitin 2027”.

Oficeri ka dalë në pension moshën 62-vjeçare, është një qytetar i thjeshtë dhe sipas raportimeve të “Nikkei”-t nga Tokio, do të vizitojë Taipein të hënën. Ai pritet gjithashtu të takohet me presidenten Tsai Ing-ëen në ishull.

Para se të largohej, Davidson thuhet se mori miratimin nga Marina e SHBA-ve. Ende nuk ka komente nga Pekini, i cili gushtin e kaluar kishte nisur një stërvitje ushtarake rreth ishullit, si reagim ndaj vizitës së kryetares së Dhomës Amerikane, Nancy Pelosi.

Siç u përmend, Davidson ka lënë uniformën e tij të admiralit dhe nuk ka asnjë detyrë qeveritare, por vazhdon të studiojë situatën strategjike në Paqësor.

Në Tokio, ai mbajti një konferencë në të cilën tha se ishte gjithmonë i bindur dhe i shqetësuar për një veprim të mundshëm të forcës kineze në ngushticën e Tajvanit deri në vitin 2027.

Nuk është një datë e zgjedhur rastësisht. Viti 2027 në kalendarin politik të Kinës, ka një rëndësi të konsiderueshme: është data e Kongresit të ardhshëm të Partisë Komuniste, pas tetorit të kaluar, i cili i caktoi të paktën pesë vjet të tjerë pushtet për Xi Jinping.

Që nga viti 2012, kur u emërua për herë të parë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë dhe Kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, Xi filloi të thoshte se “provinca tajvaneze duhet të kthehet në atdhe, çështja nuk mund të lihet më e hapur dhe t’u shtyhet brezave të ardhshëm”.

Tani, ai ka edhe pesë vjet të tjera, deri në vitin 2027, për të mbajtur premtimin e tij dhe për të pasur qasje në histori si unifikuesi i madh.

Admirali Davidson vuri në dukje se në fjalimin e tij në Kongres të tetorit, Xi refuzoi të hiqte dorë nga përdorimi i forcës për të marrë kontrollin e ishullit demokratik: “Kjo është arsyeja pse unë nuk e ndryshoj parashikimin tim për rrezikun” e sulmit.

Edhe pse zbarkimi i ish-komandantit ushtarak të Indo-Paqësorit kalon “pa u vënë re” në Pekin, një mision i Kevin McCarthy, kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve në Uashington, sigurisht që do të çonte në një rritje të re të tensionit.

Burimet e shtypit amerikan pohojnë se McCarthy po diskuton datën më të mirë për vizitën demonstruese në ishull me Pentagonin.

Ideologu i Xi-së

Xi Jinping këto ditë nuk ka as kohë dhe as interes të flasë në publik për Tajvanin. Ai po menaxhon daljen dramatike në politikën “Zero Covid”, me valën e infeksioneve dhe vdekjeve në Kinë dhe po përpiqet të rikthejë shtysën në ekonomi. Ai gjithashtu ka nevojë, të paktën në këtë fazë, një armëpushim me Joe Biden.

Por ai nuk harron as ambicien për t’i dorëzuar historisë si lideri i madh që “e ktheu” Tajvanin në atdheun kinez.

Kur gjenerali Minihan thotë se në tetor lideri komunist “krijoi një këshill lufte”, ai i referohet faktit se 15 nga 24 anëtarët e Byrosë Politike të tij të re, kanë pasur përvojë të drejtpërdrejtë në menaxhimin (ushtarak apo politik) të çështjes tajvaneze.

Avion luftarak amerikan në Indo Paqësor

Përveç gjeneralëve dhe ekspertëve, ka një ish-profesor universiteti për t’u mbajtur në sy. Është Wang Huning, 67 vjeç, i konsideruar si ideologu më i rafinuar i Partisë Komuniste Kineze. Në tetor u gradua në numrin 4 të hierarkisë së Byrosë Politike.

Sipas zërave të mbledhur nga “Nikkei”, që ka burime të mira në Pekin, Xi Jinping i ka besuar “trurit” të Republikës Popullore misionin e koordinimit të strategjisë së ribashkimit të Tajvanit.

Jo nga pikëpamja ushtarake, prandaj Xi ka përfshirë një sërë ushtarësh me përvojë të drejtpërdrejtë të teatrit të operacioneve rreth ishullit për t’u ribashkuar në grupin e ri drejtues të Partisë.

Në vend të kësaj, Wang Huning duhet të zhvillojë një propozim të ri politik, pasi modeli “një vend, dy sisteme” është bërë i papranueshëm për tajvanezët, të cilët kanë parë se si përfundoi në Hong Kong: represion, anulim i opozitës demokratike, reduktimi i lirive ekonomike.

Për të përfunduar lojën në Hong Kong, Xi Jinping vrau me vetëdije mundësinë për të bindur “bashkatdhetarët tajvanezë” për të pranuar një kompromis që parashikon sovranitetin e Pekinit mbi “provincën”.

Për disa kohë, lideri komunist nuk ka përmendur formulën “Një vend, dy sisteme” e cila u lançua nga Deng Xiaoping për të marrë kthimin në 1997.

Mund të mendohet që ai dëshiron të provojë rrugën e tij për të kurorëzuar ëndrrën e ribashkimit. Wang Huning, në mars duhet të emërohet zëvendësdrejtor i Grupit Qendror Drejtues për Çështjet e Tajvanit, organi që vendos strategjinë ndaj ishullit.

Grupi Drejtues drejtohet nga Xi. Organizatori ideologjik Wang duhet të hartojë një strategji të re për të rifilluar dialogun politik me qeverinë e Taipeit.

Wang është një ish-akademik, shkencëtar politik i Universitetit prestigjioz Fudan. Dhe ai është ideologu suprem i Partisë.

Një njeri që e vuri mendjen e tij të rafinuar, të kulturuar dhe cinike në shërbim të pushtetit nën tre sekretarët e fundit të përgjithshëm, nga Jiang Zemin te Hu Jintao dhe më pas Xi.

Thuhet se të gjitha formulat e planit të Xi-së, janë diskutuar me këtë studiues që flet shumë pak në publik.

Por ai ka reflekse të shpejta dhe një dorë të shpejtë, siç tregoi në Kongresin e Tetorit, në momentet dramatike të dëbimit të “plakut” Hu Jintao nga Salla e Madhe e Popullit.

Ideologu Wang ishte ulur dy vende në të majtë të Hu-së fatkeq (ndoshta i sëmurë, sigurisht i poshtëruar) dhe e mbajti prapa shokun Li Zhanshu, duke i tërhequr xhaketën, i cili donte të ngrihej për të mbështetur fizikisht ish-Sekretarin e Përgjithshëm.

Gjesti dhe shprehja e fytyrës së Wang, i tha shokut të tij bujar dhe ndoshta naiv: “Mos e ekspozo veten, nuk është puna jote“./ Financial Times