Kreu i Repartit të Parë në Drejtorinë e Përgjithshme të Antimafias Italiane, Gjenerali Antonio Basilicata ka paralajmëruar Shqipërinë se mund të preket nga mafia pulieze.
Në një intervistë për televizionin “Ora News”, dhënë gazetares Alba Kepi, Basilicata tha se bashkëpunimi i grupeve pulieze dhe shqiptare mund të zhvendosen në vendin tonë, si pasojë e zhvillimeve në turizëm vitet e ardhshme.
Antonio Basilicata: “Kriminaliteti shqiptar në Itali ka një raport të privilegjuar me trafikun e drogës që sjell shuma të mëdha parash por nëse duhet dhe është e nevojshme merret edhe me krimet e tjera.
Por ka edhe diçka tjetër që vlen të theksohet, se fakti për kriminalitetin puliez mund të jetë komode të vijë e të investojë në Shqipëri, duke qenë se Shqipëria parashikohet të jetë në të ardhmen edhe një vend me zhvillim turistik. Nuk përjashtoj se edhe Shqipëria duhet të marrë masat ndaj influencave të mundshme të kriminalitetit puljez dhe italian drejt Shqipërisë.”
Gjenerali tha se shqiptarët kanë konsoliduar pozitat e tyre në trafikun e drogës në Itali, madje ka prova se bashkëpunojnë edhe me mafian kalabreze, Ndrageta.
Antonio Basilicata: “Sa i përket trafikut të drogës, grupet kriminale përveç marrëdhënies inkriminuese në rajonin e Puglias dhe kriminalitetin puliez ekziston edhe prova gjyqësore të lidhjes së tyre me mafian kalabreze Ndrageta duke krijuar raporte mes tyre. Disa operacione të fundit kanë evidentuar edhe në zonën adriatike italiale ekzistencën e grupeve kriminale shqiptare dhe lidhje të tyre me kriminalitetin italian.”
Një tjetër shqetësim, sipas gjeneralit, Shqipëria është dhe një rrugë kalimi për heroinën e ardhur nga Afganistani e Turqia.