Extra Gjeniu 9-vjeçar nga Bilishti / Gregori mund të zbulojë çdo datë në...

Gjeniu 9-vjeçar nga Bilishti / Gregori mund të zbulojë çdo datë në kalendar se çfarë dite është

“Për vitin 2024, dita e fëmijëve 1 Qershori kur do të jetë? Të shtunën. Po ditëlindja ime 5 Nëntor 2024, unë kur do e festoj? Të martën. Po 31 Dhjetori 2024, vitin e ri kur do e festojmë? Të martën. Po ditën e Rinisë 8 Dhjetor 2024? Të dielën.”

Ky është gjeniu i vogël 9-vjeçar nga Bilishti, Gregor Spaho. Gregori vuan nga mungesa e shikimit, por një ditë ai çuditi të gjithë kur filloi të memorizonte pothuajse gjithçka, e me tepër akoma, ai mund të përllogaritë datat dhe zbulojë se çfarë dite do të jetë ajo.

“31 Dhjetor 2023, çfarë dite ishte? E diel. Po 8 Dhjetor 2023? E premte ishte dita e rinisë. Unë e kisha ditëlindjen 5 Nëntor 2023. Çfarë dite ishte? E diel. Po këtë vit çfarë do jetë? E martë”

Mësuesja ndihmëse e Gregorit tregon se pavarësisht mungesës së shikimit, zhvillimi i tij ka qenë i mahnitshëm, edhe pse nevoja për një specialist është urgjente.

“Gregori është vërtet talent. Ai është një fëmijë që të bën për vete, i veçantë, me datat e tij dhe ne na vjen çudi, kanë mbetur të mahnitur. Përveçse gjetjes së datave ai ka e talente të tjera, në muzikë, ka vesh muzike shumë të mirë.

Në qoftë se do kishte një specialist të veçantë do kishte ecur akoma dhe më tepër. Ne me mundësitë tona arrijmë që Gregori të ndihet mirë, në ambientet e klasës, në mënyrë bashkëvepruese por do ishte më e mirë të kishte një specialist të posaçëm, të kishte më tepër zhvillim”, theksoi Erta Tili.

Mjetet didaktike të personalizuara mungojnë për talentin 9-vjeçarit në Bilisht, ndërkohë që kërkesat e prindërve drejt institucioneve kanë qenë të njëpasnjëshme, por ende pa rezultat./Euronews Albania