Kriza politike e nisur që në shkurt me largimin e opozitës nga Parlamenti sjell në Tiranë zonjën Katja Leikert, nënkryetare e grupit parlamentar të CDU-CSU-s gjermane. Nënkryetarja e CDU/CSU-së ka mbërritur në Shqipëri një ditë më parë, ku ishte e ftuar nga fondacioni Konrad Adenauer.
Zonja Leikert siç duket ka ardhur në Tiranë me një mision për të matur pulsin e politikës shqiptare, se sa të gatshëm janë ata për të zgjidhur krizën. Një ditë më parë, ajo është takuar me presidentin Ilir Meta, pa praninë e medieve. Ende nuk ka detaje nga Presidenca për atë që është takuar mes zotit Meta dhe zonjës Leikert
Ndërkohë, më parë Leikert ka përfunduar një takim 90 minutësh me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe rreth orës 15:00, pritet që të takohet me kryeministrin Edi Rama. Vizita e saj tregon se ka një interesim të vazhdueshëm të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës shqiptare.
Nëse do kthemi në kohë, ka një intensitet të deklaratave të Grupit Parlamentar të CDU-së, për sa i përket krizës shqiptare. Megjithatë BE e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend që të ndërmarrë rolin e negociatorit për të zgjidhur krizën shqiptare.
Negocimi pritet që të ndodhë pas krijimit të Gjykatës Kushtetuese. Një prej problemeve madhore është pikërisht anulimi zgjedhjeve të 30 qershorit nga presidenti Meta. Shenjat e para se ndërkombëtarët janë të interesuar për zgjidhjen e krizës, janë dhënë sot.