Qeveria e Angela Merkel ra dakord për një program prej 130 miliardë eurosh për nxitje të ekonomisë që do ta ndihmojë Gjermaninë të kapërcejë krizën e koronavirusit.
Pas një diskutim maratonë, që mori më shumë se 21 orë, Merkel tha se paketa do të jetë 130 miliardë euro dhe do të përfshijë ulje të TVSH-së për gjashtë muajt e ardhshëm, nga 1 korriku deri më 31 dhjetor.
Ky program vjen pas planit të shpëtimit prej 730 miliardë eurosh, për të cilin ranë dakord në mars.
Plani gjerman për shpëtimin mbulon rreth 30% të të gjithë prodhimit të vendit, një shifër shumë më e lartë se në vendet e tjera europiane.
Dy fashat e TVSH-së do të ulen nga 19% në 16%, dhe nga 7% në 5%. Qeveria gjermane shpreson që kjo masë të nxitë konsumin dhe të rigjallërojë ekonominë në tërësi.
“Ky është një vendim besimi”, tha ministri gjerman i financave, Olaf Scholz. “Shpresojmë që bizneset të mos e përdorin uljen e TVSH-së për vete, por për konsumatorin.”
Gjermania ka dhe një masë ndihme prej 300 eurosh në muaj për çdo fëmijë, si masë për të garantuar sigurinë financiare.
Gjermania do ta marrë borxh një pjesë të mirë të këtij financimi, gjë që mund ta përballojë, pasi në vitet e fundit ka pasur një balancim të buxhetit, që nga viti 2014, dhe para pandemisë e kishin borxhin 60%, shumë më ulët se partnerë të tjerë europianë, si Franca, Italia e Spanja.
Kriza ekonomike është zbutur në Gjermani edhe nga aftësia për ta menaxhuar pandeminë më mirë se fqinjët. Testimi në masë i popullsisë dhe sistemi i fuqishëm shëndetësor bëri që të mbahen fabrikat hapur, të ndihmohen bizneset e vogla dhe punonjësit e pavarur.
Këto shifra të mëdha kanë shqetësuar vendet e tjera të Europës, të cilat druajnë se mund të krijohet një çekuilibër që do të thellojë ndryshimin midis ekonomive.