Pasagjerët sërish përballen me grevë tek Lufthansa. Personeli i shërbimit në aeroporte të disa shoqërive të Lufthansës pezullon sot deri nesër punën në aeroportet kryesore. Përse zhvillohet greva, ku e kur ka grevë?
Sindikata ver.di ka bërë thirrje për grevë paralajmëruese të martën në Frankfurt, Mynih, Hamburg, Berlin, Dyseldorf, Këln-Bon dhe Shtutgart. Greva paralajmëruese nisi qysh të hënën në mbrëmje nga ora 20:00, konfirmoi sindikata. Në grevë janë thirrur punonjës të teknikës, logjistikës, ngarkesës dhe shërbimit të IT-së, njoftoi drejtuesi i bisedimeve për kontratat e reja të punës të sindikatës ver.di, Marvin Reschinsky.
Të martën që nga ora 04:00 pason zgjerimi i grevës edhe me personelin e shërbimit të Lufthansës në aeroportet Frankfurt/Main, Mynih, Hamburg, Berlin, Dyseldorf, Këln-Bon dhe Shtutgart. Më pas do të hynë në grevë edhe punonjësit në sektorin e Check-In, në portat hyrjes në avion si dhe punonjës të ekipazheve. Në Mynih u është bërë thirrje për të marrë pjesë në grevën paralajmëruese rreth 170 punonjësve të shërbimit “të pastrimit të avionëve nga akulli dhe të tërheqjes së avionëve në aeroport. Greva do të përfundojë të mërkurën në mëngjes në orën 07:00 duke zgjatur gjithsej 35 orë.
Konflikt për kontratat e reja për personelin e shërbimit në aeroporte
Sindikata ver.di nuk është e kënaqur me ofertën e re të Luftahnës për pagat e reja. Në mbarë koncernin janë duke vazhduar bisedimet për kontratat e reja, sipas sindikatës, për rreth 25.000 punonjës të Lufthansës, të cilën janë të punësuar në sektorët e shërbimit në aeroporte si në teknikë, logjistikë, shërbime inxhinierike dhe operacionale. Lufthansa bën fjalë për rreth 20.000 të punësuar në këta sektorë. Kjo është greva e dytë brenda këtij viti. Në grevën e parë që zgjati 27 orë u ndërprenë më shumë se 1.000 fluturime, thuajse 90 përqind e udhëtimeve të planifikuara nga Lufthansa.
Bisedimet do të vazhdojnë të mërkurën (21.02.2024). Sindikata e konsideron grevën e dytë paralajmëruese si të domosdoshme, sepse Lufthansa nuk ka bërë lëshime në bisedimet e zhvilluara deri tani.
Gjatë grevës të martën do të funksionojnë vetëm rreth 10 deri në 20 përqind e fluturimeve. Klientëve koncerni u këshillon që të shkojnë në aeroporte vetëm nëse nuk është anuluar fluturimi i prenotuar prej tyre. Janë pezulluar kryesisht fluturimet brenda Europës, ndërsa itineraret ndërkontinentale do të funksionojnë normalisht. Pasagjerët, që kanë rezervuar fluturime me Lufthansën të martën informohen nga kompania përmes e-mailit ose aplikacionit të Lufthansës lidhur me statusin e linjës së prenotuar. Lufthansa u ofron klientëve mundësinë e ndryshimit të datës së fluturimit ose opsionin e udhëtimit me tren, raporton DW.