Të punosh në Gjermani si i huaj nga një vend jashtë BE? Kjo nuk është kaq e thjeshtë. Gjermania asnjëherë nuk e ka parë veten si vend emigracioni. Por ndërkohë mungojnë 1.2 milionë punonjës të kualifikuar.
Suhl është një qytet i vogël në mes të Gjermanisë. Ai ndodhet në landin e Tyringjisë, në kufi me landin e Hesenit. Që pas rënies së Murit të Berlinit Suhl ka përjetuar një rënie të vazhdueshme. Një e treta e banorëve janë shpërngulur. Tani atje jetojnë vetëm 35.000 banorë. Mosha mesatare në qytet është mbi 50. Kësisoj Suhl është “qyteti më i moshuar” i Gjermanisë.
Kjo ka pasoja: Pensionet ulen, kujdesi për moshën e tretë mungon e po mungojnë gjithnjë e më shumë forca pune. Një projekt në Suhl – i mbështetur nga Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë të landit Tyringji – ka për synim ta zbusë problemin e mungesës së forcave të punës duke tërhequr punëtorë vietnamezë.
Njëri prej tyre është Cao Quang Truong. Që prej tetë muajsh ai jeton në Gjermani dhe po ndjek një kurs kualifikimi profesional si punëtor ndërtimi. 22 vjeçari është i kënaqur që ka këtë shans: “Më të mirët janë kolegët e mi. Ndonjëherë puna është shumë e vështirë, por ne qeshim së bashku e kjo është motivuese.” Pas kualifikimit Cao preferon të qëndrojë Suhl. Por kjo nuk është kaq e thjeshtë. Sepse për këtë vitnamezi duhet të ketë një leje qëndrimi, e cila nuk lëshohet lehtë.
Kush ka punë, mund të vijë
Gati 11 milionë njerëz pa pasaportë gjermane jetojnë në Gjermani. Çdo vit marrin nënshtetësinë mbi 100.000 të huaj. Megjithatë Republika Federale e Gjermanisë gjatë dekadave të shkuara asnjëherë nuk e ka konsideruar veten si vend emigracioni. Kjo tani duhet të ndryshojë. Me një ligj për imigracionin e forcave të kualifikuara të punës do të lehtësohet tërheqja e punonjësve nga vendet jo anëtare të BE-së.
Të enjten (09.05) në Bundestag parlamentarët debatuan për herë të parë mbi këtë ligj. Ligji rregullon, që punonjësit e kualifikuar nga vendet jashtë BE-së të mund të punojnë, nëse posedojnë një kontratë pune dhe kanë kualifikimin përkatës të njohur në Gjermani. Kufizimi për profesione të caktuara do të hiqet po ashtu si edhe shqyrtimi me prioritet i aplikimeve nga gjermanë apo shtetas të vendeve të tjera të BE-së. Një verifikim i tillë sidoqoftë mund të rivendoset afatshurtër në nivel rajonal.
Ndryshim historik
Kush është i kualifikuar dhe flet mirë gjermanisht, mund të lejohet të udhëtojë për maksimumi gjashtë muaj në Gjermani edhe pa një kontratë pune, për të kërkuar punë. Deri më sot ky rregull vlente vetëm për ata që mbaronin studimet e larta. Ai që kërkon punë duhet të kujdeset vet për të ardhurat për jetesë gjatë kësaj periudhe. Ata nuk përfitojnë ndihmë sociale. Ky rregull do të provohet fillimisht për një periudhë pesë vjeçare.
Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer e quajti këtë si një “vendosje historike piketash” për Gjermaninë drejt një “politike moderne migracioni”. Me ligjin e ri do të ketë kritere të qarta, se kush dhe në çfarë kushtesh lejohet të vijë dhe të qendrojë. Gjermania do të ruajë kontrollin në çdo kohë, se kush vjen në vend, siguroi ministri i Brendshëm: “Ne me këtë ligj krijojmë kushtet, që ato forca të kualifikuara pune, që i duhen urgjentisht ekonomisë sonë, të mund të vijnë në mënyrë të rregullt dhe të kontrolluar.”
Gjithnjë e më shumë vende vakante pune
Rreth 1.2 milionë forca të kualifikuara pune i mungojnë aktualisht ekonomisë gjermane. Gjendja është më problematike në fushën e shërbimit të përkujdesjes shëndetësore dhe në ndërtim. Në paketën ligjore është përfshirë edhe rregullimi i mundësisë për punë për azilkërkuesit me statusin e kufizuar të qëndrimit “Duldung”.
Një shans ky edhe për qytetin Suhl. Për dhomën e Tregtisë në Tyringji ligji për imigrimin e forcave të kualifikuara të punës është detyrimisht i domosdoshëm. Projekte si ky në Suhl mund të jenë të suksesshme edhe në mbarë federatën. Ky ligj është si shpresa e fundit për këtë qytet të vogël të Tyringjisë. Sipas përllogaritjeve të Institutit Federal për Studimet e ndërtimit, qyteteve dhe hapësirës, nëse nuk ndryshon gjë Suhl në vitin 2030 do të ketë vetëm 27.400 banorë./DW