Kryesore Gjermania, apel Francës dhe Holandës: Mos bllokoni Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Gjermania, apel Francës dhe Holandës: Mos bllokoni Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Berlini zyrtar pasi vendosi nëntë kushte për të filluar negociatat me Shqipërinë, i bën apel vendeve skeptike, Francës dhe Holandës t’i bashkohen vendimit të Gjermanisë dhe të mos bëhen pengesë për dy vendet e Ballkanit Perëndimor.

Franca dhe Holanda nuk i kanë bërë ende publike qëndrimet e tyre, por e para ka një politikë kundër zgjerimit deri sa të vendosen rregulla të reja, ndërsa e dyta ka një rezolutë të parlamentit që i ka thënë jo Shqipërisë. Gjermania po lobon me këto vende më radikale se ajo, me shpresën se kushtet e vëna mund të shërbejë si një garanci për t’i bindur ato.

Ministri i punëve të Jashtme të Gjermanisë, social-demokrati Heiko Maas, nëpërmjet një deklarate zyrtare ka kërkuar bashkimin e dy vendeve skeptike me qëndrimin e Berlinit.

DEKLARATA E MINISTRISE SE JASHTME TE GJERMANISE

Kam besim se qasja e kushtëzuar e propozuar nga Bundestag-u gjerman mund të bindë edhe të tjerët në BE të vendosin të fillojnë negociatat e pranimit. Miratimi i Bundestagut gjerman për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një sinjal i rëndësishëm. Vendimi nënvizon rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për BE-në. Në të njëjtën kohë, është e qartë se reformat do të shpërblehen. Të dy vendet duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre të reformës në mënyrë që të ecin përpara në rrugën drejt BE-së.