Sport Kumbulla: Ëndrra më e madhe, të luaja në Serie A. Dybala, rivali...

Kumbulla: Ëndrra më e madhe, të luaja në Serie A. Dybala, rivali më i vështirë

Plot 11 vjet me Veronën dhe në gusht debutimi me fanellën e saj në Serinë A. Marash Kumbulla, mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, ka pasur fatin të luajë në futbollin italian në një moshë shumë të re si titullar. Në këto 5 javë është përballur me ekipe të mëdha si Milan dhe Juventus dhe ia ka dalë me sukses. Ndaj Juventusit u ndëshkua me karton të kuq në shtesë dhe mungoi ndaj Udinezes. Futbollisti me origjinë shkodrane ka kaluar me sukses një provë shumë të vështirë dhe në një të ardhme të afërt patjetër do të jetë titullar edhe me kuqezinjtë.

Kumbulla ka folur për emocionet e debutimit në Serinë A për faqen zyrtare të klubit të Veronës, në rubrikën “A tu per tu”.

SERIE A

“Ta shoh veten në Serie A është shumë e çuditshme për mua, por shpresoj të mësohem shpejt. Debutimi ishte një emocion unik, sepse të luash në këtë kampionat, në këtë kategori, është ëndrra e të gjithë fëmijëve, që merren me këtë sport. Të kesh sukses që 19 vjeç me fanellën e ekipit, ku jam rritur, për mua është një arsye e shkëlqyeshme, burim krenarie dhe gëzimi të papërshkrueshëm. Çfarë mbaj mend nga debutimi kundër Bologna? Ishte një paraqitje e mirë për të gjithë ekipin, një barazim i mirë në inferioritet numeric. Kjo është ndeshja që do ta mbaj gjithmonë në zemrën time. Sigurisht, nuk e fillova shumë mirë, pasi rrëshqita në topin e parë që preka, por më pas gjithçka shkoi pozitivisht…

KARRIERA

“Fillova të luaja me Hellas Verona që kur isha 8 vjeç. Ende mbaj mend gjithçka nga starti këtu, përfshirë seleksionimet, edhe pse nuk e kuptoja vërtet se çfarë do të bëja. Për mua ishte thjesht argëtim. Trajnerët që kam pasur më kanë rritur shumë. I kujtoj të gjithë me dashuri, sepse nga secili kam mësuar diçka”.

POZICIONI

“Kur isha i ri, luaja si “7”, rreshtohesha në mesfushë. Pastaj arrita te Verona, ku menjëherë më kthyen në mbrojtje. Roli im i preferuar? Preferoj të qëndroj në pozicionin tim aktual, ku kënaqem”.

ËNDRRA

“Unë gjithmonë kam shpresuar të luaj në Serie A, por kam filluar ta besoj seriozisht këtë vetëm gjatë këtij viti. Unë bëra çmos, ia dola. Shumë faleminderit trajnerit dhe klubit, që besuan te mua”.

BENTEGODI

“Në debutim kisha emocione të forta. Edhe tani, kur tifozët tanë duartrokasin apo gëzohen, më bëjnë të dridhem. Është një ndjenjë që njeriu e jeton në atë moment, por nuk mund të përshkruhet me fjalë”.

OPONENTËT

“Deri më tani, më i vështiri për t’u markuar ka qenë Dybala, gjithashtu për shkak të karakteristikave fizike. Padyshim, ai është shumë më i realizuar se unë”.