Nga Paolo Valentino – Corriere della Sera
Dëgjohet zhurma e një Heshtjeje të Madhe, në një Gjermani që e ka të vështirë ta njohë veten, ku lufta në Ukrainë po shkatërron siguritë e vjetra, inflacioni është rikthyer, në kryeqytet zgjedhjet, të cilat u zhvilluan në kaos total, duhet të anulohen, trenat tashmë të rregullta kanë vetëm vonesa dhe ministrat kritikojnë publikisht njëri-tjetrin sikur të ishim në Romë.
Por ndoshta do të ishte më mirë të thuhej se ndihet fryma e Gjumit të Madh të Angela Merkel-it.
E zhdukur nga skena politike, ish-kancelarja është bërë e prania e madhe, e padukshme, e një autoanalize kolektive që prek drejtpërdrejt edhe atë.
Të gjithë ata që kanë pasur përgjegjësi politike në njëzet vitet e fundit po bëjnë vetes pyetje të rëndësishme dhe po pranojnë gabimet fatale si fjala bie si u bë vendi kaq i varur nga gazi rus? Pse rafineritë iu dorëzuan menaxhimit të Gazpromit dhe mbi të gjitha pse vazhdoi ndërtimi i Nord Stream 2 edhe pas pushtimit të Krimesë? Dhe së fundi, pse politika ndaj Kinës, e udhëhequr vetëm nga imperativi për të fituar para, nuk e ka trajtuar kurrë problemin e varësisë nga Dragoi, duke ngritur dyshimin se mësimi rus ka qenë pak ose aspak i dobishëm?
Vetëm Angela Merkel është e heshtur ose pothuajse. Në kuptimin që në dy-tre herë që ajo ka thënë diçka, ka qenë për të mbrojtur zgjedhjet e saj, në kontekstin e kohërave në të cilat janë bërë. “Nuk ka asgjë për të cilën duhet të kërkoj falje”, është mantra e saj. Pjesa tjetër është heshtje.
Lajmi i mirë është se një ditë ajo do ta bëjë, ndoshta në vitin 2024, kur Kiepenheur & Witsch do të publikojë kujtimet e saj, “një vështrim ekskluziv dhe personal” për 16 vjet si kancelare, siç parashikon botuesi.
E megjithatë, pikërisht sot Gjermania ka nevojë urgjente për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, edhe për të ripërpunuar të kaluarën e afërt, duke shmangur përsëritjen e gabimeve.
Kështu po bëjnë prej muajsh të gjithë protagonistët kryesorë të skenës publike gjermane. Para së gjithash, Presidenti i Republikës, Frank-Walter Steinmeier, socialdemokrat, i cili ishte ministër i jashtëm i Merkel-it për gati tetë vjet dhe sot e njeh plotësisht gabimin e Nord Stream 2 dhe paralajmëron kundër rreziqeve të marrëdhënieve shumë të ngushta ekonomike dhe tregtare me Pekinin. Më në fund ai e bëri atë me shumë ndershmëri dhe çiltërsi në New York, ku iu dha çmimi Henry Kissinger. Por “mea culpa-s” nuk i kanë shpëtuar as presidenti i SPD-së, Lars Klingbeil dhe ish-kryetarja e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenabuer kur thotë “Jam shumë e inatosur me ne Demokristianët”.
Tani është radha e një figure të lartë. Ditët e fundit, duke marrë shprehjen e Karrenbauer në kritikën e ashpër për politikën kristiandemokrate ndaj Rusisë, ka ngritur zërin Wolfgang Schäuble, ish-ministër i Brendshëm dhe Financave, ish-profeti i asaj që quhet “Schwarze Null”, buxheti i balancuar dhe kampion i pamëshirshëm i masave shtrënguese gjatë krizës financiare 2008-2015.
“Reputacioni ndërkombëtar i Gjermanisë është dëmtuar dhe gabimet i përkasin kohës së shkuar”, tha Schäuble, i konsideruar si ndërgjegjja morale e CDU-së, për gazetën “Handelsblatt”. “Nuk kemi dashur ta shohim dhe kjo vlen për të gjithë. Kur isha ministër i Brendshëm, biseduam me kolegun tim rus se si duhet të luftojmë së bashku terrorizmin islamik. Por duhet t’i kisha kushtuar vëmendje asaj që po bënin rusët në Çeçeni. Ose duhet të kisha dëgjuar atë që më tha presidenti polak Lech Kaczynski kur Rusia sulmoi Gjeorgjinë: ‘Më pas vjen Ukraina, pastaj Moldavia, pastaj Balltiku dhe më pas Polonia’. Dhe ai kishte të drejtë”.
Ish-presidenti i Bundestagut ka vënë në shënjestër direkt Angela Merkel-in, të cilën edhe në mars e mbrojti duke argumentuar se nuk ishte e drejtë të kritikohej roli i saj në bashkëpunimin energjetik me Moskën. “Vlen të përmendet se në lidhje me Rusinë, ajo sot nuk është në gjendje të thotë se kemi gabuar”.
Megjithatë, Schäuble kujton se nuk ishte vetëm Merkel që donte gaz të lirë rus, shtyllë e sistemit gjerman. Në fakt ishin edhe industria, aleatët socialdemokratë në emër të Ostpolitik dhe nën krahun e ish-kancelarit Gerhard Schröder që po shtynin. Dhe jo më pak e kanë bërë edhe sektorë të mëdhenj të CDU-së dhe të gjithë CSU-së bavareze.
Por pjesa më helmuese e deklaratës së Schäuble-s është përgjigjja e pyetjes nëse Frau Merkel mund të llogaritet ndër kancelarët e mëdhenj të Republikës Federale së bashku me Adenauer, Brandt dhe Kohl: «Ajo është e përjashtuar përkohësisht. Është ende herët për të gjykuar përfundimisht”.
Angela Merkel vazhdon Gjumin e saj të Madh. Ndoshta, siç ka bërë gjithmonë, po merr kohë. Por edhe një herë, shpjegimet e dhëna tani do t’i jepnin Gjermanisë mençurinë në zgjedhje që nuk mund të shtyhen më.