Gjermania, që ka hyrë në recesion ekonomik për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri, do të lehtësojë masat e saj kufizuese duke rihapur dyqanet dhe, nga 4 maji, edhe shkollat e saj.
“Tubimet e mëdha siç janë garat sportive apo koncertet do të qëndrojnë të ndaluara deri të paktën më 31 gusht”, njoftoi kancelarja Angela Merkel pas një takimi me drejtuesit e 16 landeve.
“Suksesi i Gjermanisë kundër Covid-19 mbetet ende i brishtë”, paralajmëroi kancelarja në një konferencë për shtyp.
“Takimet e më shumë se dy personave do të mbeten të ndaluara deri më 3 maj dhe rregullat e distancimit të të paktën 1,5 metrave do të mbeten në fuqi”, shtoi ajo.
Shkollat mund të fillojnë rihapjen në 4 maj.
Për të shoqëruar këtë lehtësim të rregullave, qeveria rekomandon fuqimisht mbajtjen e maskave në dyqane dhe transportin publik.
Gjermania ka qenë në recesion “që nga marsi”, tha sot Ministra gjermane e Ekonomisë duke paralajmëruar se kjo situatë mund të zgjasë “deri në mesin e vitit” dhe gjithashtu duke llogaritur në përkeqësimin e situatës në prill.
Tashmë e dobësuar shumë gjatë gjithë vitit 2019 nga tensionet e tregtisë ndërkombëtare, të cilat kanë minuar mundësinë e një modeli ekonomik të bazuar në eksporte, ekonomia gjermane tani po ndjen edhe krizën e koronavirusit.
PBB gjermane pritet të ulet me 10% në tremujorin e dytë,e padëgjuar deri tani, sipas parashikimeve të përbashkëta të instituteve kryesore ekonomike, të botuara javën e kaluar.
Sipas të njëjtave burime, niveli i papunësisë duhet të rritet në 5.9% të popullsisë aktive, ose 2.5 milionë njerëz të papunë.