Bota Gjermania në prag të ndryshimeve të mëdha

Gjermania në prag të ndryshimeve të mëdha

A do të ketë zgjedhje të reja në Gjermani, pas dorëheqjes së kryetares së SPD, Andrea Nahles? Partitë duhet të kenë kujdes nga veprimet e nxitura, mendon Ines Pohl.

Nga Ines Pohl*

Rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropin kanë shkaktuar termet politik në Gjermani. Pasojat po shihet tani. Kryetarja e SPD Andrea Nahles ka paralajmëruar dorëheqjen nga të gjitha postet në parti dhe Bundestag. Kjo është edhe një dëshmi tjetër për gjendjen në partitë popullore, SPD dhe CDU. Të dy partitë e mëdha, të cilat kanë dhënë kancelarët, që prej krijimit të Gjermanisë Federale. Të dy partive u mungon qëndrueshmëria e domosdoshme dhe përgjegjësia udhëheqëse – programore dhe personale.

Paraqitja e dobët e shefes së re të CDU

Së pari CDU: Prej largimit të Angela Merkelit nga posti i kryetares së partisë, krahët e ndryshëm brenda partisë nuk po mund të futen nën kontroll. Shefja e re e partisë, Annegret Kramp-Karrenbauer ka pasur një paraqitje shumë të dobët. Zhvendosja e saj nga krahu i djathtë politik në fushatën për zgjedhjet për PE nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Përkundrazi. Edhe më shumë e ka dëmtuar partinë kritika e saj ndaj një personi në Youtube, i cili ka kritikuar punën e CDU. Ajo duket si një person i moshuar politik, e shpenzuar dhe jo e gatshme për të ardhmen.

SPD po kërkon vendin e vet

Për partinë SPD situata është shumë më e komplikuar. Prej gjashtë vitesh kjo parti në koalicionin qeveritar nuk ka arritur të profilizohet kundrejt kancelares Merkel. Pavarësisht reformave me rrogën minimale apo kujdesin për fëmijë, në fund kancelarja Merkel ishte ajo që mori lëvdatat. CDU ka marrë ndërkohë shumë tema klasike të SPD, ndërsa socialdemokratët nuk kanë gjetur përgjigje për këtë gjendje, pavarësisht udhëheqësve të rinj në krye të partisë.

Tani shefja e SPD do të largohet nga postet. SPD ka ardhur në një krizë aq të thellë sa që zgjidhja e vetme për të mund të duket dalja nga koalicioni i madh. Pavarësisht sa kushton kjo.

Pa nxitime

Dhe kjo është e rrezikshme, sepse kjo do të thotë se zgjedhjet duhet të mbahen këtë vit. SPD dhe CDU/CSU nuk kanë aktualisht udhëheqësit e duhur për zgjedhje. Asnjë prej këtyre partive nuk ka ndonjë program zgjedhor, nuk ka përgjigje për shqetësimet e qytetareve dhe qytetarëve. Ruajtja e mjedisit është vetëm një prej këtyre temave.

Gjermania ende është një vend i qëndrueshëm demokratik. Zgjedhjet e reja mund të rrezikojnë rritjen e populistëve të djathtë, por forcat demokratike ende janë në epërsi shumë të madhe, që është lajmi i mirë në këto kohëra të turbullta.

Gjermania dhe bota

Kur shikojmë rëndësinë e Gjermanisë sot në botë, atëherë luftërat e brendshme politike apo lojërat e renditjes nuk duhet të jenë vendimtare për zgjedhje të reja. SPD dhe CDU nuk duhet të nxitohen, por duhet të nxjerrin vendime të drejta. Gjermania mund të jetë e dobishme për partnerët dhe veten vetëm kur është stabile dhe e llogaritshme dhe jo kur mendohet vetëm për pushtetin sot.

*DW