Gjermania është vlerësuar vendi më i mirë në botë për të pestin vit me radhë nga një sondazh ndërkombëtar.
Mbretëria e Bashkuar zbriti në vendin e pestë në klasifikim, pjesërisht për shkak të një rënie të reputacionit të saj global për mirëpritjen e të huajve dhe mbrojtjen e mjedisit. Ndërkohë SHBA u ngjitën në vendin e tetë (nga vendi i dhjetë) pas fundit të presidencës së Donald Trump.
Gjermania ndiqet nga Kanadaja, Japonia, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar në renditjen e “markave kombëtare” nga politologu britanik Simon Anholt dhe nga sondazhi i Ipsos.
Çdo vit, Nation Brands Index mat se si 60 vende perceptohen në gjashtë shkallë të ndryshme, duke përfshirë qeverisjen e vendit, mirësjelljen, kulturën dhe cilësinë e jetës.
Në klasifikimin e këtij viti, Gjermania ruajti vendin e parë për të pestin vit me radhë dhe për të shtatën herë në përgjithësi. Rezultati i saj u përmirësua në 71.1% këtë vit krahasuar me 69.1% në vitin 2020. Reputacioni i Gjermanisë u rrit në mënyrë të konsiderueshme nga fakti se njerëzit ndihen të kënaqur me produktet gjermane dhe për punën e qeverisë gjermane për të luftuar varfërinë.
Vendi fitoi pikë edhe për reputacionin e jashtëzakonshëm në sport, pavarësisht se u rendit i nënti në tabelën e medaljeve të Lojërave Olimpike të Tokios këtë vit.
Edhe Kanadaja u ngjit në vendin e dytë këtë vit (renditej e treta në vitin 2020). Vendi mori vlerësime të larta për politikat e emigracionit dhe qeverisjen, ndërsa njerëzit e lëvdojnë Kanadanë për kulturën dhe mirësjelljen.
Ndërkohë, rezultati i Mbretërisë së Bashkuar u rrit nga 68.1% në 2020 në 70% këtë vit, gjë që do të thotë se ishte vetëm 1.1% larg Gjermanisë. Pavarësisht kësaj, Mbretëria e Bashkuar zbriti në vendin e pestë këtë vit. Pikat e forta të reputacionit të vendit u përqendruan në kontributin në shkencë dhe teknologji, sport dhe kulturën bashkëkohore, si dhe kualifikimet e forta arsimore.
Por Mbretëria e Bashkuar humbi pikë për shkak të perceptimit të publikut se sa mirëpritës janë britanikët dhe në mbrojtjen e mjedisit. SHBA mundën të ngjiten me dy vende këtë vit dhe u renditën të tetit. Në 2020, vendi pati një nga rëniet më të mëdha, pasi ra në vendin e dhjetë nga i teti në 2019-n.