Të tjera telashe me drejtësinë për Davide Pecorelli, biznesmenin italian dhe ish-gjyqtar futbolli i cili u raportua i vdekur në Shqipëri që nga janari dhe u gjet në një gomone që po mbytej pranë ishullit të Montecristo. Prokuroria Publike e Grosseto njoftoi 45-vjeçarin se ka filluar një hetim për marrjen e monedhave të arit të vjedhura në vitin 2019 nga San Mamiliano di Sovana me një vlerë rreth 400 mijë euro.
Ai që njihet si “Thesari San Mamiliano” përbëhet nga rreth 500 monedha ari të gjetura në një kishë të vogël në Sovana në 2004. Në vitin 2012 ky thesar u ekspozua pjesërisht për publikun. Për fat të keq pak vite më vonë u vodhën 66 monedha nga 83 të ekspozuara.
Vëmendja u rikthye kur Pecorelli deklaroi se kishte gjetur thesarin e Montecristo. Pas padisë për falsifikim dokumentesh, Prokuroria Publike e Grosseto ka vendosur të nisë hetimet edhe për marrje të mallrave të vjedhura. Duket se historia e tij e thesarit nuk është krejtësisht e trilluar pasi në dhomën e tij të hotelit u gjetën disa harta dhe dokumente.
Mes tyre, ato që kanë rënë në sy janë një listë, foto të disa monedhave të lashta, 3 harta të ishullit Montecristo, një libër i “Komedisë Hyjnore” dhe një çelës me një pllakatë ku shkruhej “Garazh Porto Santo Stefano”.
“Unë jam i qetë, besoj si gjithmonë te Prokuroria dhe, siç u kam deklaruar tashmë magjistratëve në Perugia, në ishullin Montecristo gjeta 2 arka që përmbajnë monedha ari, por kurrë nuk i kam marrë ato” – u tha Pecorelli gazetarëve të “La Nazione”.
“Thesari tani është në vendin që i tregova prokurorit. Ata dinë gjithçka. Ata kanë gjithashtu harta të hollësishme të vendeve ku kam qenë në kërkimet e mia ditët kur arrita në ishull. Unë nuk e di çfarë ka ndodhur më pas. Çfarë dija ia thashë prokurorit. Çelësat e garazhit? E kam marrë me qira ë Porto Santo Stefano për 3 muaj me qëllim që të rregulloja materiale e gjetura në ishull.
Ndër objektet e sekuestruara ishin fotografi të anëtarëve të familjes dhe disa shënime të planit tim ku kisha vendosur edhe një datë: “1 tetor, kthimi në shtëpi’” – tha Pecorelli.
Një ekspert i pyetur nga gazeta italiane tha se gjithçka që gjendet në nëntokën tonë ose në shtratin kombëtar të detit është pronë e shtetit. Kështu, në rast të zbulimit të ndonjë objekti të lashtë, personi ka për detyrë të njoftojë gjithçka tek autoritetet sepse është pjesë e trashëgimisë arkeologjike dhe historike të shtetit, veçanërisht nëse ka pasur një thesar të këtij lloji.
“Në rast se bëhet një përpjekje për të tregtuar këtë lloj materiali, konsumohet krimi i marrjes së mallrave të vjedhura. Edhe ata që e blejnë këtë material mund të kenë ndjekje penale” – tha eksperti.