Aktualitet Zbulohen fotot nga shtëpia e barit në Tiranë

Zbulohen fotot nga shtëpia e barit në Tiranë

Përveç Anglisë ku rastet e goditjes së prodhimit të kanabisit janë të shumta, shtëpitë e barit janë funksionale edhe në Tiranë. Këtë të enjte, Policia e Tiranës njoftoi goditjen e një rasti të prodhimit të lëndës narkotike. Sipas burimeve nga uniformat blu, MCN mëson se kjo goditje është bërë në zonën e “Unazës së Re”, në kryeqytet nga Seksioni i Hetimit të Narkotikëve në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Komisariatin numër 6. Nga fotot e siguruara, duket lënda narkotike e cila është hapur për t’u tharë në ambientin e shtëpisë. Trafikantët kanë përdorur disa litarë për të varur kanabisin, por jo vetëm, edhe një varëse rrobash.

Operacioni është koduar “Aroma” ndërsa janë sekuestruar rreth 27 kilogramë kanabis, një armë zjarri pistoletë, aparatura që shërbejnë për tharjen dhe prodhimin e lëndës narkotike, doza me lëndë të dyshuar kokainë dhe sende të tjera të kundërligjshme. Në pranga janë vënë shtetasit A. A., 28 vjeç dhe Xh. I., 54 vjeçe. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur ambientin e një banese, me aparatura që shërbejnë për tharjen dhe prodhimin e lëndëve narkotike, të cilën e paketonin dhe e bënin gati për shpërndarje me doza për përdorues të ndryshëm.

Në vijim të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. T., 50 vjeç, i cili kishte detyrë të ruante ambientin e jashtëm të banesës dhe të raportonte te dy shtetasit e tjerë në rast se shikonte lëvizjeve të dyshimta. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, raporton MCN.