Aktualitet GJKKO rrëzon kërkesën e Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës....

GJKKO rrëzon kërkesën e Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës. Reagon Dule

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit, i cili ndodhet pas hekurave që në maj kur u mbajtën zgjedhjet lokale, për t’u betuar si kryetar i Bashkisë Himarë.

Sipas GJKKO, nuk ka një dispozitë ligjore që mund ta lejojë Belerin që të betohet, edhe pse më 14 maj ai e fitoi bashkinë Himarë.

Pas vendimit të gjykatës, për mediat ka folur kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule i cili theksoi se Belerit, prej muajsh i privohet e drejta e tij themelore teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama se qëndron pas vendimeve të Drejtësisë për këtë çështje.

“Belerit prej muajsh, i privohet e drejta themelore, ndërsa qytetarëve u privohet e drejta për të zgjedhur. Kryetari ne bashkisë e kanë zgjedhur dhe kryetar nuk kanë. Çështja është një dhe e vetme. Rama kërkon me çdo kusht të mbajë në krye të bashkisë së Himarës një kryetar që nuk e kanë votuar qytetarët me qëllim që të vazhdojë aferat korruptive që kanë qëllim tjetërsimit e statusit pasuror. Kjo nuk është një ndërhyrje në punët e drejtësisë por një mendim që mund të shprehim për një vendim. Ndërhyrje në drejtësi është ajo që dëgjuat në intervistën e kryeministrit Rama. Janë momente shumë të vështira që krijojnë precedent të rrezikshëm që cënon shtetin e së drejtës, prezumimin e pavarësisë,” deklaroi Dule.

Gjatë seancës, kryebashkiaku i Himarës, i cili aktualisht ndodhet në qeli për korrupsion në zgjedhje, ka kërkuar nga pala gjyqtare marrjen sa më shpejt të një vendimi për të. Ai kërkoi sërish që të kryejë betimin si kryebashkiak.

E cilësoi procesin gjyqësor ndaj tij të “drejtuar nga kryeministri”, duke hedhur akuza dhe ndaj gjyqtarëve që janë marrë me rastin e tij.

“Po shkaktoni një reagim të përgjithshëm armiqësor, po i detyroni njerëzit të ndahen në grekë e jo grekë, duke dëgjuar Kryeministrin dhe shpurën e tij çdo ditë, që e banalizojnë reagimin e Greqisë si personal. Unë Fredi Beleri me ndërgjegje mora përsipër të kandidoj për kryetar bashkie në Himarë, pasi kisha testuar më parë besimin e bashkëqytetarëve të mi. Nuk e kisha parashikuar reagimin e Kryeministrit dhe nuk kisha asnjë përgatitje shpirtërore as unë, as familja ime, për të përballuar fjalorin e tij denigrues ndaj meje. Megjithatë mbështetja e bashkëqytetarëve të mi më dha forcë për të vazhduar. Janë një grup të rinjsh me besim te e ardhmja, që më kanë dhënë mbështetje gjatë fushatës dhe aktualisht, që jam i paraburgosur, është mbështetja e bashkëqytetarëve të mi, që më jep forcë të duroj qetësisht. Por, këto që po ndodhin në këtë gjykim vetëm po mbajnë me bukë analistë dhe të paditur por çakenj, dhe nuk i shërbejnë drejtësisë apo të përditshmes së shqiptarëve”, theksoi Beleri në shkresë.

Jashtë ambienteve të Gjykatës kanë protestuar dhe disa mbështetës të Belerit. Fredi Beleri u arrestua 2 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 14 Majit.