Aktualitet GJKKO urdhëron SPAK-un të hetojë ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi

GJKKO urdhëron SPAK-un të hetojë ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi

Elvis Roshi

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur që SPAK të nisë hetimet ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi.

GJKKO rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Durrësit që kërkonte pushimin e procedimit penal të nisur në vitin 2017 për Roshin lidhur me një kallëzim të bërë nga KLSH në vitin 2015 për shpërdorim detyre.

Gjytarja e GJKKO, Rudina Palloj, e konsideroi në pavlefshmëri absolute kërkesën e Prokurorisë Durrës dhe vendosi që dosjen t’ia kalojë SPAK-ut për hetim.

KLSH e kallëzoi ish-kryebashkiakun e Kavajës dhe 10 zyrtarë të tjerë në atë kohë për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera në lidhje me disa investime publike, duke i shkaktuar dëm shtetit në vlerën 220 mijë Euro.

VENDIMI I GJKKO:

Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datë 30.11.2023, është regjistruar kërkesa penale me nr. 23/113 akti, ardhur për shkak të deklarimit të mos kompetencës lëndore nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: “Pushimin e procedimit penal nr. 317 të vitit 2017, të regjistruar pa autor për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal”,  me palë kërkuese Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe kallëzues Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 75/a, 128, 128/a, 329, 329/a, 329/b e vijues të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin nr. 23, datë 26.03.2024, vendosi:

Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: Pushimin e procedimit penal nr.317 të vitit 2017, të regjistruar për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 të K. Penal.

Kalimin e akteve që ndodhen pranë kësaj gjykate, të përcjella nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankimit brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.