Pas shqetësimit të disa qytetarëve shqiptarë që janë gjobitur nga policia greke për shkak të tejkalimit të ditëve të qëndrimit, ka reaguar kryeministri Edi Rama duke thënë se zyra e tij ka biseduar me autoritetet e vendit fqinj.
Këto të fundit, sipas Ramës, do të rishikojnë gjobat e vendosura ndaj shqiptarëve të cilët nuk kanë mundur të kthehen në Shqipëri për shkak të mbylljes së kufijve.
Kryeministri Rama shkon më tej kur thotë se të gjitha gjobat e vendosura nga policia greke do të rimbursohen nga qeveria shqiptare në rast se pala greke nuk i anulon.
“Zyra ime ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet greke, pas lajmit të bërë publik të gjobitjes së disa shtetasve shqiptarë që kanë tejkaluar afatin 90 ditor të qëndrimit në Greqi gjatë muajve të fundit. Autoritetet greke do të rishikojnë të gjitha gjobat e vendosura, ndërkohë kanë siguruar se në kohëzgjatjen e pandemisë vendosja e gjobave do të ndodhë vetëm në rastet flagrante, ku shkelja e afateve nuk ka lidhje me situatën e krijuar nga Covid-19.
Unë i siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë të cilëve autoritetet greke nuk do t’ua anulojnë gjobën, se do të rimbursohen në masën 100% nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë”, shkruan kryeministri Rama në Facebook.