Kryesore Protesta e dytë e Aleancës për Teatrin: Të mbledhim 1 milion firma

Protesta e dytë e Aleancës për Teatrin: Të mbledhim 1 milion firma

Pas një tjetër proteste paqësore, e përmbyllur kësaj radhe pa asnjë incident të vetëm, Aleanca për Teatrin ka deklaruar se protesta e tyre do të vijojë nesër në orën 11 përballë zyrave të SPAK.

Ndërkohë, organizatorët e protestës po vijojnë me firmat e peticionit për rindërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar në formën që kishte kur u rrënua. Robert Budina u shpreh se protestat do të shtrihen në çdo qytet.

Sipas organizatorëve të protestës, ambicia është të mblidhen të paktën 1 milion firma. Ata kanë edhe deklaruar se mbështetësit e kauzës do të vigjilojnë perimetrin ku ngrihej godina duke u siguruar që mos të fillojë asnjë veprim për fillimin e punimeve për Teatrin e Ri.

Kjo ishte protesta e dytë e organizuar në harkun kohor të dy ditëve. Kësaj proteste, që u organizua nga Aleanca për Teatrin, iu bashkua Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare. Për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë u angazhuan rreth 1 mijë forca policore. Protestat e artistëve, shoqërisë civile dhe opozitës nisën pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar të dielën e 17 Majit.