Aktualitet Gjobitet kompania fasone; 13 rrobaqepëse u helmuan dje gjatë punës

Gjobitet kompania fasone; 13 rrobaqepëse u helmuan dje gjatë punës

Autoritetet shëndetësore në Durrës gjobiten dhe pezulluan përkohësisht aktivitetin e subjektit fason ku një ditë më parë u helmuan një grup punonjësesh nga rrjedhja e gazit.

Nga inspektimi i kryer në ambientet e subjektit “Albastir” në Fllakë të Durrësit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, dega rajonale Durrës, vendosi pezullimin e aktivitetit të këtij subjekti deri në datën 7 shkurt në pritje të përgjigjes së analizave nga ana e Drejtorisë Rajonale Shëndetësore Durrës, si dhe masë administrative në vlerën e 500.000 lekëve.

Të martën në Spitalin Rajonal të Durrësit janë shtruar fillimisht 7 punonjëse të subjektit “Albastir” Sh.p.k. me aktivitet në fasoneri/hekurosje.

Ato u paraqitën në spital me marrje mendsh, të përziera, kollë dhe nivel të ulët oksigjenimi. Numri i punonjësve që morën trajtim në spital gjatë ditës se djeshme arriti në 18 persona. Aktualisht, sipas burimeve spitalore, të gjitha punonjëset janë kthyer në banesë, pas marrjes së trajtimit mjekësor.

Shkak për këtë gjendje të rënduar shëndetësore ishte rrjedhja e gazrave në tubin e aspirimit, që nxjerr jashtë gazrat e kaldajës së hekurosjes. Ndonëse rrjedhja ishte konstatuar një ditë para incidentit nga punonjësit, asnjë masë nuk është marrë paraprakisht për të shmangur pasojat e saj në shëndet.