Deputeti i opozitës Ralf Gjoni gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit është shprehur se pa votën e tyre në Parlament nuk do ketë ‘diell’ për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Gjoni tha se mazhoranca fshihet pas “fustaneve” të rekomandimeve të OSBE/ODHIR dhe se nuk ka treguar asnjë vullnet për një reformë gjithëpërfshirëse dhe tërësore zgjedhore.
Ndërkohë shtoi se opozita jashtë Parlamentit shpreson për një histori dashuriçke me kryeministrin Edi Rama.
Ralf Gjoni: “Prezenca jonë këtu e dinë gjithë shqiptarët që mban këtë maxhorancë këtu në këmbë. Ju e dini dhe ne e dimë këtë. Presidenti është krenar sepse e paska shpëtuar Kuvendin nga djegia dhe ka evituar luftë civile.
Kryeministri është krenar se po flirton me PD në rrugë dhe është pranë një pazari, sipas fjalëve që po qarkullojnë zoti Balla. Ne këtu nuk jemi krenarë sepse nga momenti që është ngritur komisioni për reformës zgjedhore dhe ne arritëm që të ndryshonim objektin e këtij Komisioni duke futur përtej rekomandimeve të OSBE ODIHR edhe hapjen e debatit kombëtar për ndryshimet sistemit zgjedhor përfshirë këtu ndryshimet e nevojshme kushtetuese nuk është bërë asgjë në këtë komision. Mazhoranca socialiste nuk ka treguar asnjë vullnet për një reformë gjithëpërfshirëse dhe tërësore zgjedhore.
Mazhoranca socialiste fshihet pas fustaneve të rekomandimeve të OSBE/ODHIR duke e etiketuar atë si gjoja reforma zgjedhore. Zoti Balla ju dëgjova me kujdes seancën e kaluar. Reforma zgjedhore në objektin e komisionit nuk konsiston vetëm në adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR, konsiston në reformimin e sistemit zgjedhor, ku përfshihet edhe ndryshimi kushtetues. Tani më lejoni t’ju qartësoj nja dy tre gjëra si juve në Parlament dhe atyre në rrugë që shpresojnë në një histori dashuriçke me Edi Ramën.
Dhe sidomos ata në rrugë ta kenë të qartë si PD dhe LSI, nuk ka diell me këtë mazhorancë për ndryshimin e sistemit zgjedhor pa votën tonë këtu në Parlament. Ta kenë të qartë të gjithë, të hidheni pupthi ju dhe ata në rrugë.”