“Opozita është e pashpresë dhe nuk ka vend mend. Gjuha e fortë e Donald Lu ndaj Llallës, s’është personale, por është gjuha e SHBA”
Kreu i FRD, Bamir Topi, shprehet se po negociohet me Partinë Socialiste në funksion të koalicionit për zgjedhjet e 2017-ës.
I pyetur për gjendjen e opozitës, Topi ka shumë kritika: “Opozita parlamentare është në një rrugëtim pa surpriza. Unë prej kohësh e kam parashikuar trajektoren e saj.
Për fatin e keq të saj opozita aktuale është një institucion që nuk ka nxjerrë mësime nga mënyra si ka bërë politikë me institucionet e shtetit në vitet e qeverisjes së saj.
Është në të njëjtin shtrat të pa ajrosur ku ambiguiteti në mendime dhe sidomos në vendimmarrje, sipas meje nuk jep shpresë për çlirim nga “prangat” e frymës totalitare që mbizotëron në sjelljen e saj”, thotë ish-presidenti për gazetën Mapo.
Ndërkohë, i pyetur për përplasjen Lu-Llalla, Topi thotë se Donald Lu flet në emër të SHBA, jo të tijin personal:
“Nuk mund të interpretoj notat personale të debatit. Për sa unë njoh politikën dhe shtetin kam bindjen se në mënyrën e sjelljes së përfaqësuesve të partnerit tonë kryesor SHBA, asgjë nuk vjen me nota personale.
Është në kulturën politike të atij vendi të madh funksionimi me gjuhë institucionale dhe të fortë e të drejtpërdrejtë.
Miqtë tanë e kanë deklaruar qartë se kanë vendosmërinë të bëjnë Reformën në Drejtësi shpejt, fort dhe pa mëdyshje. Edhe bindja ime është që kjo reformë nuk do të mund të ndalet dhe për asnjë arsye”.