Kulturë GJURMË TË KËRRUSURA

GJURMË TË KËRRUSURA

Skice letrare nga Edmira Xhaferi

Kaloi aty i kërrusur, i lodhur, i vetmuar, i grisur,… me ecje të qetë, hapa të sigurtë, por të ngadaltë duke lënë gjurmën e vet te secili që e vështronte, pa i folur e pa menduar se ai ecën në kohën e tij, ashtu, në dhimbje për një shpresë të shuar e për një vuajtje pa fund.

Isha ulur atë mëngjes në kafenenë time të preferuar e, qetësisht po shihja kalimtarët që kalonin. Një çast, ndjeva se më dhembi vuajtja e një njeriu që jepte e merrte me hapin e tij, me kohën e tij, me ajrin e tij,… e të parë ashtu m’u largua i heshtur duke lënë pas një mendim, një trishtim që ulëriste, një dhimbje që të bënte të zgjoheshe nga qetësia e asaj dite.

A thua pas 100 vjetësh u përsërit kafshata e pakapërdime dhe opingat që donin të hanin kushedi se ke?… Ndoshta dhe mua, ty,…këdo tjetër.

O Zot, në këtë vit ku njerëzit u buzëqeshin ngjyrave është dhe ky, njeriu i dhimbjes dhe i vuajtjes për atë që e mban gjallë, jetën e tij!…

Renda ta arrij e ta pyes se a mundem unë… mundem të të them një fjalë zemre, një fjalë shprese, një fjalë dëshire të paarritshme deri tani?

I ulur në këndin e tij, ku binin rrezet e diellit, pranë derës së një furre buke, rrinte me sytë e mbërthyer në tokë, ndoshta për të mbuluar dhimbjen e tij, për të mbuluar urinë,… ndoshta për të mos shkelur mbi atë që ai e shihte kryesoren… Nuk e di…

Ndalova dhe heshta. Më mungonin fjalët që duhet t’i thosha, më mungonte guximi për t’i dhënë shpresën për të ardhmen, më mungonte besimi se e ardhmja do ishte e bukur për të.

Nxitimthi u futa te dyqani i bukës, në cep të së cilit ishte strukur ai njeri i mirë që po përqafonte fort heshtjen e tij, dhe si rrëmbeva një simite të sapo dalë e të vendosur për shitje, pagova e nxitimthi dola jashtë. Doja t’i zgjasja dorën atij njeriu për t’i thënë që jam dhe UNË, e për t’i treguar që nuk jam si ai që kaloi aty e as vështrimin nuk ja hodhi, as si ajo që nxitonte aty pranë me telefon në dorë dhe, nën kërcitjen e takave, lëshonte shpesh një britmë, kushedi se kujt… I zgjata dorën, me forcën për t’i thënë që ne mundemi te jemi dhe kështu.

Heshti, zgjati dorën dhe e tërhoqi përsëri. Nuk foli dhe ashtu i heshtur uli sytë sërish,… ndoshta i trembur nga një mirësi, nga një sinqeritet, nga një fjalë… Nuk e di ta them saktësisht!

Këmbëngula dhe heshta. Heshta e mundur përballë një varfërie që vret, përballë një njeriu të vetëm, që, më shumë se fjalët, të vriste dinjiteti njerëzor, të vriste trishtimi dhe kurrizi i kërrusur…

-Ah!, – psherëtiva, – dhe sytë më ngelën te rrobat e tij të grisura dhe këmbët e tij të zbathura.

Ishte ftohtë atë ditë, shumë ftohtë… Nuk e di pse i ftohti, atë çast, u fut thellë dhe në shpirtin tim.

U largova me një mori mendimesh dhe një mal me urrejtje për ata njerëz që vetëm flasin e flasin, duke qëndruar ngrohtë në zyrat e tyre, për ata që ushqehen me darka njëmbëdhjetë mijë dollarëshe e u mungojnë sytë për të parë që pas njëqind vitesh fjalët e Migjenit të madh ngjallen e thërrasin për t’u zgjuar nga luksi që na ka pushtuar e nga mosdëshira për të zgjatur dorën me shpresën se diçka do ndryshojë…

U largova me premtimin që unë do të kthehem prapë në një vend që më takon të jem,… ndoshta dhe TY,… të gjithëve,… që trishtimi të mos na pushtojë dhe dhimbja të mos na fundosë.