Çfarë ndikimi ka komunizmi në Tiranën dhe Shqipërinë e sotme? Le ta zbulojmë në ekspozitën që quhet “30 vjeç”.
Projekti i artistit italian, Eugenio Tibaldi, vjen si rrjedhojë e historisë 30-vjeçare të Shqipërisë dhe merr jetë nga bashkëpunimi me disa artistë të rinj shqiptarë.
Krahasimi i ngjarjeve dhe gjetjeve të formave që qyteti ka krijuar, ishin frymëzimi për krijimin e veprave të secilit prej artistëve pjesëmarrës.
“Është një vepër e cila lidhet shumë me kontekstin e realizmit socialist në bazë të konceptit kompozicional të një posteri të kohës, duke e sjellë në një forma ironike dhe butaforike”, tha Ardian Isufi, dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura.
Skicat, pamjet, videot, idetë krijuese po shndërroheshin ngadalë nga punë vetjake, në tërësinë e një krijimi që do të përfaqësonte qytetin e Tiranës.
“Një kolazhi madh të objekteve të hedhura, ku Eugenio ka një kontekst të thellë politik, sepse përdor disa elementë si në rastin e tendës së famshme te Kryeministria”, tha më tej Ardian Isufi, kurator.
Në këtë hapësirë janë hedhur kolonat me shufra hekuri, të bëra gati për beton.
“Ky është nga instalacionet më ambiciozë, sepse krijohet me vet Galerinë një strukturë e re ndërtimi. Ky është një ndërtim që e shohim kudo në Tiranë dhe Shqipëri”, tha Ardian Isufi.
Por nuk mungojnë as kaosi i telave dhe objekteve të çfarëdoshme anekënd.
“Ne shohim të përditshmen tonë. Elementi i telave dhe kabllove të lidhura në mënyrë kaotike dhe jo legjitime”, u shpreh Ardian Isufi.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 mars në Galerinë Fab.