Si funksionon dhe si përhapet koronavirusi? Një projekt i pavarur po mundohet të krijojë një hartë të përparimit të pandemisë në vendet e botës duke studiuar konstruktin e brendshëm të virusit.
Deri më tani, “Nextstrain” ka mbledhur rreth 1500 gjenomë të koronavirusit të ri, dhe të dhënat tregojnë se virusi po pëson mutacion mesatarisht çdo 15 ditë, teksa epidemia e COVID-19 është përhapur tanimë në gjithë globin.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se virusi po bëhet më i fuqishëm, ndryshimet në kodin gjenetik po i ndihmojnë shkencëtarët të zbulojnë se ku ka qenë virusi, duke thyer kështu mitet sa i përket origjinës së virusit.
Kjo nismë e studimit të përhapjes së viruseve nuk është e re dhe është aplikuar edhe gjatë epidemisë së Zikës dhe Ebolës.
Sidoqoftë aplikimi i metodave të tilla sot është bërë më i lirë dhe më i shpejtë dhe këto të dhëna shkencore mund të ndihmojnë autoritetet shtetërore për të ndjekur strategjitë e duhura të parandalimit.