Dries Lonneux, 42 vjeç, i arrestuar në Belgjikë në Tetor të 2021 si drejtues i një organizate kriminale që trafikonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine, dyshohet se investoi në Shqipëri që në vitin 2016. Gjatë operacionit për arrestimin e tij u vunë në pranga edhe 26 persona të tjerë si bashkëpunëtorë dhe u sekuestruan rreth 2 ton kokainë e futur nga porti i Anvers-it në Belgjikë.
Autoritetet belge pas hetimit penal nisën gjurmimin e pasurisë së tij dhe rezultoi se ashtu si në disa shtete të tjera në Evropë, ai kishte investuar edhe në Shqipëri.
Me anë të një letërporosie, ku ishin identifikuar kompania e hapur me qendër në Vorë të 42-vjeçarit dhe lidhjet e tij në Shqipëri, belgët i kërkuan SPAK të kryejë të gjitha verifikimet dhe bllokojë çdo pasuri në emër të tij dhe familjarëve, teksa gjatë veprimeve hetimore asistuan edhe gjyqtarë e prokurorë belg.
Bashkëveprimin e krimit në Belgjikë me grupe shqiptare është bërë më evident gjatë viteve të fundit, teksa të dhënat zyrtare të Prokurorisë së Posaçme tregojnë se Holanda dhe Belgjika janë vendet që kanë kërkesat më të larta për ndihmë në hetime. 20 kërkesa janë dërguar nga holandezët dhe 17 nga belgët gjatë 2021, teksa objekti kryesor i letërporosive lidhen më drogën dhe pastrimin e parave, raporton Tv Klan.