Këshilli i Emërimeve në Drejtësi gjendet përkohësisht në pamundësi për të renditur emrat e garuesve që synojnë katër vende në Gjykatën Kushtetuese. Ky ngërç është shkaktuar prej ditësh nga vendimi gjatë javës së kaluar i Gjykatës së Apelit Administrativ që i kthen të drejtën për garë pretendetes Zhaklina Peto, e përfshirë në listën e ndalimit nga anëtarët e KED.
Por ndonëse kanë kaluar disa ditë, Gjykata Administrative nuk e ka dorëzuar ende vendimin e zbardhur pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, çka do të sillte shqyrtimin edhe njëherë të kësaj kandidature referuar verdiktit të gjyqtarëve Alkelina Gazidede, Amarildo Lavci dhe Bahri Shyti. Burimet e Top Channel thanë se për këtë shkak Këshilli i Emërimeve në Drejtësi edhe pse ka vendosur të jetë në detyrë edhe gjatë gushtit duhet të presë vendimin e zbardhur për të parë arsyetimin e gjyqtarëve të cilët shfuqizuan vendimin e KED.
Por nga ana tjetër siç edhe parashikon ligji, Gjykatës Administrative i janë drejtuar edhe pesë pretendetë të tjerë të skualifikuar nga gara, ketër prej të cilëve kanë humbur, ndërkohë që nuk është shqyrtuar ende padia e kandidatit Gëzim Allaraj.
E gjitha kjo situatë e vendos në pozitë të vështirë KED, që kishte parashikuar të rendiste gjashtë pretendentët e mbetur në garë brenda këtij muaji dhe që duhet t’ja kishte dërguar me postë dy organeve të emërtesës, përkatësisht Presidencës dhe Parlamentit. Kandidatët për katër vende vakante janë Besnik Muci, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Arta Vorpsi, Regleta Panajoti dhe Marsida Xhaferrllari, kjo e fundit pretendente edhe për postin e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
Garuesit që u ankuan në Gjykatë:
Sinan Tafaj
Ded Kasneci
Rexhep Bekteshi
Petrit Kaja
Gezim Allaraj
Zhaklina peto
Kandidatët që presin renditjen
Elsa Toska
Besnik Muci
Fiona Papajorgji
Regleta Panajoti
Arta Vorpsi
Marsida Xhaferrllari